Ballina Aktualitet Hetimet për Ceno Klosin, SPAK sekuestron celularët e disa prej zyrtarëve në...

Hetimet për Ceno Klosin, SPAK sekuestron celularët e disa prej zyrtarëve në varësi të tij. Fokusi bisedat me drejtorin e Tatimeve

191
0

SPAK ka sekuestruar celularët e vartësve të Drejtorit të Tatimeve Ceno Klosi. Pajisjet do t’i nënshtrohen ekspertizës dhe do të shihen komunikimet që ata kanë pasur me eprorin e tyre.

Po ashtu me urdhër të SPAK janë sekuestruar dokumente tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që lidhen me vendimmarrjet e Klosit.

Zyrtari i lartë që është dhe një prej njerëzve më të afërt të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Prokuroria e Posaçme konfirmoi përmes një shkrese zyrtare për News 24 se hetimet ndaj kryetatimorit Klosi u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.

Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 7 muaj pas kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi. Nisur nga faktet është bërë bashkimi procedimeve në një të vetëm, dhe përfundimisht Ceno Klosi po hetohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.