Ka vdekur Xhavit Ferizi (Raketa), ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-truproje i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. “Raketa” ishte nga fshati Plluzhinë e Skenderajt.
Lajmin e vdekjes së tij e ka treguar familja në një njoftim mortor.
“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjar, miq e dashamirë, ju njoftojmë se sot në mëngjes ka ndërruar jetë babai jonë Xhavit Ferizi – Raketa, duke na lënë përjetësisht të pikëlluar por keenar që jemi gruaja dhe fëmijët e tij”, thuhet në njoftimin e familjes.
Për vdekjen e tij kanë lajmëruar edhe njerëz të tjerë të afërt me të ndjerin. Milaim Cakiqi, mik i ngushtë i ish-presidentit Thaçi, ka shkruar se ‘Raketa’ e ka fituar çdo betejë, në luftë e në paqe.
“Por, jo edhe betejën me kancerin. Do të më mungojnë shumë muhabetet e orëve të vona, Raketë. Do të na mungosh të gjithëve, vëlla! Fatkeqësisht, vdekja na ndau! U prehsh në paqe Xhavit FERIZI, mik i mirë dhe besnik!”, ka shkruar ai.