Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë” Arlind Qori debatoi ashpër me gazetarin Andi Tela në studion e një program televiziv për investimin e premtuar nga dhëndri i ish-presidentit Trump në ishullin e Sazanit. Qori the se Rama është zënë me presh në duar dhe ai, në kurrizin e shqiptarëve dhe pronën e tyre, përveç përfitimeve ekonomike, do të ketë edhe përfitime politike të pamerituara. Ndërsa Tela tha se çdo udhëheqës në Shqipëri do të vepronte kështu.
Pjesë nga debati
Arlind Qori: Mungesa e transparencës është harresë, apo rastësi? Çfarë është? Nuk është as harresë as rastësi. Fakti që e nxjerr Neë York Times para shtetit shqiptar, do të thotë se aty diçka po luhet dhe nuk po luhet për të mirën e Shqipërisë, se po të ishte kështu do të dilte z. Rama, muaj më parë dhe do të thoshte se kjo do të ndodhte. Fakti se nuk po bëhet garë…
Andi Tela: Neë York Times nuk ka bërë shkrimin se a është garë transparente..
Arlind Qori: Ne nga shkrimi kuptojmë se është bërë jashtë vëmendjes së publikut. Nëse do të ishte për mirë, qeveria do të mburrej, por është zënë me presh në duar.
Andi Tela: Duhet që këtu të ketë investime të rëndësishme.
Arlind Qori: Nëse unë dua të shes shtëpinë unë nuk e përcaktoj blerësin, por e nxjerr në treg të hapur dhe pres ofertën më të mirë. Kurse ky shtëpinë po e shet me blerës të paracaktuar, ku blerësi i paracaktuar, paracakton edhe çmimin. Kur u bë thirrja publike ndërkombëtare dhe kur u bë oferta? Si mund të investohet në zona që janë të mbrojtura? Është deti rreth e qark, është Laguna e Nartës.
Andi Tela: Kanë dy vite njerëzit që shkojnë për turizëm në ishullin e Sazanit dhe shkojnë ata dhe lënë plehrat.
Arlind Qori: Është lugina e Nartës, është Zvërneci.
Andi Tela: Është tjetër gjë.
Arlind Qori: Po si është tjetër gjë! Janë bashkë, pse i ndani? Kjo është e njëjta aferë dhe pse nuk shtroni pyetjen: Ore ky z. Rama, përveç përfitimeve ekonomike a mos do të ketë edhe përfitime politike të pamerituara nga kjo gjë?
Andi Tela: Po kush tjetër në vendin e tij nuk do ta bënte këtë gjë?
Arlind Qori: Çdo njeri me karakter nuk do të bënte dhe të shiste vendin e vet për të përfituar mbështetje të pamerituar nga presidenti i ardhshëm i SHBA-ve. Si mund të bëhet kjo gjë? Vetëm në një Republikë Bananesh, dhëndrit të presidentit të SHBA-së i jepen dy ishuj për përfitime personale. Dhe mos harroni diçka. Nëse Trumpi rizgjidhet president i SHBA-së do të jetë një president atipik, do të ketë shumë më pak skrupuj se administrata aktuale për të mbështetur çfarëdolloj zuzari. Edi Rama është duke fituar në kurrizin tonë një mbështetje të pamerituar ndërkombëtare. Po blen me pasurinë tonë, pushtetin e tij.