Mjeku i Qendrës Shëndetësore Tapizë, Ismail Kozi ka folur pas rastit të rëndë, kur nëna vrau foshnjën duke e hedhur në lumë.
Ai thotë se nuk kanë pasur dijeni për shtatzëninë e 42-vjeçares, pasi ajo nuk është paraqitur kurrë në për vizitë në Qendrën Shëndetësore.
“Për rastin në fjalë jemi njohur nga mediat. Ne e njohim si familje shumë e mirë, nënë e përkushtuar, është nënë e 5 fëmijëve.
Për pjesën e shtatzënisë s’kemi fare dijeni, nuk janë paraqit fare. I gjithë lajmi është marrë vesh nga mediat”, thotë mjeku për Report Tv.
Ngjarja e rëndë u regjistrua një ditë më parë në Krujë, ku Leta K. 42 vjeçe, dyshohet se ka vrarë foshnjën e saj pasi e ka lindur në banesë. Ajo e futi foshnjën në qesen e plehrave dhe e hodhi në lumin e Tapizës.
Ngjarja u zbulua vetëm pasi ajo shkoi të merrte ndihmë mjekësore në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe më pas është zbuluar se ajo ka kryer një lindje. 42-vjeçarja nuk ka pranuar që të flasë para policisë për arsyet që e shtynë të ndërmarrë këtë akt makabër.
Mësohet se askush nuk e dinte për shtatzëninë, e saj, madje edhe bashkëshorti në polici ka dëshmuar se nuk e dinte që kishte gruan shtatzënë. Por policia e ka marrë me dyshime dëshminë e tij dhe për të po bëhen verifikime.