Ballina Kulturë Xhelal Çerpja i Dardhës apo Dardha e Xhelal Çerpes ?

Xhelal Çerpja i Dardhës apo Dardha e Xhelal Çerpes ?

61
0

Nga Abdurahim Ashiku

I kujt është Xhelal Çerpja?
Pyeta veten njëmijë kilometra larg…
Nuk mora përgjigje.
Po Dardha e kujt është?
Pyeta përsëri veten njëmijë kilometra larg…
Nuk mora përgjigje.
E si të merrja?
Thjesht sepse në rrënjë të kujtesës Dardha dhe Xhelali janë binjakë në gjak e në shpirt.
Dardha është baba, nënë, vëlla, motër për Xhelal Çerpen.
Xhelali është bir’ i saj.
Nuk e kam bërë ndonjëherë portretin në germë të Xhelal Çerpes.
Nuk e di pse!
E kam peng.
Ma kërkoi Shaqiri në një fluturim germave kompjuterike.
I thashë se do të shkruaj diçka.
Diçka nga ajo që më ka ngelë në takimin e fundit me të…
Ma përsëriti në një takim në bregdetin e Malit të Robit tek më sillte me autograf një BURRË me germa kapitale të Dardhës, Met Sula
U ula të shkruaja…
Nuk më lidheshin germat në fjalë.
Më dilte përpara Dardha me bukurinë që ngjitet në Qan e zbret djersitur, shkallë – shkallë në Lashkizë, Tartaj, Vilë, Shënlleshen, Zall-Dardhë për të marrë një grusht ujë Drini faqeve të pjekura nga dielli.
Më dilte Xhelali i qeshur, aq i qeshur sa buza hapej e mbyllej në një simfoni këngësh e vallesh epike.
Si dinte ai të këndonte…
Si dridhte ai topuz e karthi mbi lëkurë të dhirtë…
Si këpuste tela mbi çifteli…
Këto e di se Shaqiri ka ditë t’i marrë e lidhë dorë për dore në valle.
Diçka do të shtoj edhe unë…
Nuk mund të rri…
Njëmijë kilometra larg…
Në dhe të huaj…
Në mërgim…
Xhelal Çerpja më vjen e do të më vijë tërë jetën me merakun që nuk e tret dheu, SHTËPINË E KULTURËS TË DARDHËS…
Shtëpinë e Kulturës, shtëpi modeste që me bëmat e saj u shndërrua në Pallat Kulture disa herë e kishin sulmuar ti nxjerrin themelet, të digjnin bibliotekën, më e pasura në Dibër, të grisnin e hidhnin ferrave kostumet qindravjeçare mbledhur me durim nga Xhelali me shokë, të thyenin çifteli, curle, daulle, pipëza e vegla popullore meloditë e të cilëve i kishin dhënë emër folklorit të kësaj treve që artin dhe kulturën e kishte në shpirt.
U kishte qëndruar Xhelal Çerpja…
Me gjoks…
Me “topuz” në dorë…
Derisa një ditë…
Natë, më kuptimplote është të them se natës mesjetare i ngjau…
Shtëpia e Kulturës e Xhelal Çerpes në Zallin e Dardhës ishte e fundit në Dibër që u shkul themelesh, u shkatërrua, u dhunua…
E tash, pas një çerek shekulli, kur ekraneve të vegjël satelitorë e kryefaqe gazetash shoh të demonstrohet për shembjen apo jo të Teatrit Kombëtar (Popullor) më del përpara Xhelal Çerpja me “topuzin” e daulles në dorë…
Sikur ata që bërtasin sot t’i ishin bërë krah me “topuz” në dorë Xhelal Çerpes…
Xhelal Çerpja ishte i Dardhës…
Dardha ishte dhe është e Xhelal Çerpes…
Një monument me germa të dala nga shpirti i mërgimtarit provova sot, këtë mbrëmje Athinase t’i ngre Xhelal Çerpes…
Ndërkohë që ka vend t’i ngrihet një monument derdhur në bronc atje mbi themelet e shtëpisë së tij të artit e muzikës…