Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, do të takohet me homologun e vet rus, Sergei Lavrov, këtë të enjte në Moskë, ka njoftuar zyra e ministrit serb.
Siç thuhet në njoftim, Daçiç do të udhëtojë drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë.
Takimin e dy shefave të diplomacisë e kishte paralajmëruar më herët zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, raporton agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
Serbia do të bëhet kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.
Ndeshja miqësore mes kombëtareve të Rusisë dhe Serbisë në Moskë është planifikuar të zhvillohet më 21 mars.
Federata e Futbollit e Rusisë e ka cilësuar këtë ndeshje si “duel vëllazëror”.
Dy ditë pas përballjes së ekipeve kombëtare, më 23 mars, kampioni i Serbisë në futboll, Cervena Zvezda, dhe kampioni i Rusisë, Zenit Shën Petersburg – do ta luajnë një ndeshje miqësore në Beograd.