Ballina Kosovë Kosova fortifikon kufirin, ngre baza të reja ushtarake pranë atyre të Serbisë

Kosova fortifikon kufirin, ngre baza të reja ushtarake pranë atyre të Serbisë

70
0

Kosova së shpejti do të ketë baza të reja ushtarake në kufi me Serbinë si përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga fqinji verilindor.

Ditë më parë, Qeveria ia dha në shfrytëzim Forcës së Sigurisë së Kosovës pronat e ish-Aeroportit të Dumoshit që gjendet rreth 15 kilometra nga kufiri me Serbinë.

Këto prona shtrihen në fshatrat Dumosh, Radojevë dhe Kaqubeg të Podujevës. Hapësira që i ka kaluar në shfrytëzim Forcës së Sigurisë së Kosovës këtu në Dumosh përfshin një sipërfaqe prej 48 hektarësh.

Këtu më parë ka qenë ish-Aeroporti i Dumoshit. Pas luftës këtu janë pozicionuar forcat e KFOR-it ndërsa më vonë ato të EULEX-it. Para se të shndërrohej në bazë ushtarake jugosllave, Aeroporti i Dumoshit është shfrytëzuar si akademie fluturimit.

Qytetarët në Dumosh thonë se me ushtrinë e Kosovës pranë do të jenë më të sigurt.

Përpos hapësirës në Dumosh, FSK ka marr në shfrytëzim edhe një tjetër hapësirë prej 30 hektarësh në fshatin Llukar kur dikur ka qenë kazerma e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, e që do të jetë vijë komanduese me regjimentin që do të vendoset në Dumosh.

Ministria e Mbrojtjes i ka quajtur të rëndësisë strategjike këto hapësira por nuk ka dhënë detaje të tjera.

“Këto hapësira janë me rëndësi strategjike për sigurinë e vendit tonë, dhe meqenëse projektet që planifikohen të realizohen janë të natyrës ushtarake, nuk mund të ndajmë detaje të tjera me ju.”

Përgjatë zonës së Llapit ku do të vendosen bazat e reja ushtarake të Kosovës, Serbia ka 20 baza të saj ushtarake.