Ballina Politika Sot Kuvendi pritet t’i kthehet normalitetit, do votohet ngritja e dy komisioneve...

Sot Kuvendi pritet t’i kthehet normalitetit, do votohet ngritja e dy komisioneve hetimore

91
0

Për herë të parë pas 5 muajsh kaos, Kuvendi i Shqipërisë këtë javë do t’i kthehet normalitetit.

Pas dakordësisë në tryezën e Konferencës së Kryetarëve mes Rithemelimit dhe Partisë Socialiste, sot deputetët e opozitës do të heqin dorë nga skenari i bllokimit me garancinë e mazhorancës për ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Pas dakordësisë, në seancën e sotme pritet të miratohet ngritja e dy komisioneve, ai për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS, si edhe për PPP-të në Shëndetësi, konkretisht kontratat publike të check up-it dhe sterilizimit.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe disa projektligje si ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore”, si dhe projektligjin “Për sigurinë kibernetike”.

Po ashtu, Kuvendi pritet të diskutojë edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për miratimin e disa ndryshimeve në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Autoritetit të Konkurrencës”.