Amerikanët shmangin Kurtin dhe zyrtarët tjerë të Qeverisë – Ambasada konfirmon se Ndihmëssekretari Robinson s’i takoi ata
Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë nuk u takua me kryeministrin Albin Kurti në atë që u pa si refuzim i zyrtarëve të lartë amerikanë për ta takuar Kurtin për shkak të qëndrimit të fundit të tij për dinarin.
Në një prononcim për Gazetën Express një zëdhënës i Ambasadës së SHBA’së tha se Ndihmëssekretari Robinson s’i takoi zyrtarët nga Qeveria, përfshirë edhe kryeministrin Kurti.
“Si funksion i rolit tonë, diplomatët takohen shpesh me përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile, media dhe publiku. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Ndihmës Sekretari Robinson u takua me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani dhe me shumë përfaqësues nga sektori i drejtësisë dhe korrektimit, prokurorisë, shoqërisë civile dhe mediave. Ndihmës Sekretari nuk u takua me kryeministrin apo ministra të tjerë të qeverisë gjatë vizitës së tij”, tha zëdhënësi i Ambasadës.
Robinson takimet e tij në Kosovë dje i nisi nga Presidenca ku pas takimit me presidenten Osmani mbajtën një konferencë të përbashkët për media ku ai shpalosi synimet e ardhjes së tij në Kosovë.
Ndërsa, në anën tjetër, Osmani para tij tha se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e Interpol’it pa ndihmën e SHBA’së.