Ballina Aktualitet Marrëveshja me Italinë për emigrantët, zbardhen detajet për akomodimin e tyre në...

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, zbardhen detajet për akomodimin e tyre në Lezhë

51
0

Mediat italiane zbardhin detaje për akomodimin e emigrantëve në Lezhë. Brenda 7 ditëve operatorët ekonomikë italianë, entet, shoqatat, apo organizatat duhet të depozitojnë kërkesat e tyre për t’u përzgjedhur në një procedurë të shpejtë negociuese nga Ministria e Brendshme Italiane e bazuar në një normative informuese shpërndarë nga Prefektura e Romës mbi mënyrën e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të qendrave të emigrantëve në Shqipëri.

Këto qendra duhet të jenë gati më 20 maj 2024 dhe kostoja vjetore për menaxhimin e tyre do të jetë rreth 34 milionë euro. Në dokumentet e Ministrisë Italiane kërkohen të jenë 3 automjete me gjatësi maksimale 8.5 metra që të kryejnë transportin e emigrantëve nga Porti i Shëngjinit në Gjadër. Në port do të jetë në dispozicion dhe një auto ambulancë në rast nevoje për transportimin e emigrantëve në strukturat sanitare në territorin shqiptar. Për garantimin e shërbimit shëndetësor në Gjadër do të ketë 3 salla për vizita ambulatore, 2 dhoma monitorimi të përkohshëm me 3 shtretër secila, 1 dhomë infermierie, 1 sallë operacioni, 1 laborator analize, 1 dhomë radiografie, 1 dhomë terapie psiko-psikiatrike, 2 dhoma izolimi me 1 e 2 shtretër.

Në Portin e Shëngjinit shërbimi shëndetësor do të garantohet nga 1 sallë ambulatore, 1 dhomë monitorimi me 3 shtretër, 1 dhomë izolimi me 3 shtretër. Në momentin e hyrjes në territorin shqiptar emigranti do të pajiset me një komplet të higjienës personale që përmban 1 sapun të lëngshëm 125 ml (një herë në javë), 1 shampo (një herë në javë), 1 kartë higjienike (vetëm 1 top një herë në javë), 1 furçë dhëmbës (një herë në muaj), 1 pastë dhëmbësh (një herë në muaj), 1 palë atlete, 1 palë pantofola, 1 palë mbathje që do u shtohen 3 të tjera në qendrën e Gjadrit, 1 palë pantallona, 1 bluzë, 1 këmishë, 1 pulovër, 1 xhup, 1 palë corape (3 palë corape të tjera do u jepen në qendrën e Gjadrit, si dhe 1 bluzë intime, 1 këmishë e 1 pantallona).

Në dokumentin e siguruar zbardhen dhe menuja ditore e emigrantëve që operatori ekonomik që do të marr në menaxhim kampet e emigrantëve në Gjadër duhet të garantojnë. Ushqimet do të shërbehen në takëme njëpërdorimshme të biodegradueshme e të respektojnë kërkesat ushqimore e zakonet ushqimore në bazë të traditave kulturore e fetare të emigrantëve. Mëngjesi do të përmbajë 4 feta bukë biskotë ose 80 gramë biskota, 1 porcion gjalpë, 2 porcione reçel ose mjaltë, 200 ml pijë e ngrohtë. Vaktet drekë e darkë, do të përmbajnë 1 pjatë makarona, oriz ose cous cous, 150 gramë mish i kuq, ose 200 gramë mish i bardhë apo peshk, apo 2 vezë të ziera dhe 100 gramë djathë, 2 panine, 1 litër ujë, 1 frut e 2 herë në javë ëmbëlsirë.

Për pastërtinë e veshjeve personale, emigranti do të pajiset me 100 ml detergjent larës dy herë në javë. Në qendrën hotspot në çdo 24 emigrantë do të jenë 2 operatorë mbikëqyrës gjatë ditës e 1 gjatë natës, 1 ndërmjetës gjuhësorë gjatë ditës e 1 ndërmjetësues gjuhësor gjatë natës, 1 psikologë, 1 operator social. 1 përgjegjës e 1 administrator 2 gjuhësh italisht e shqip.

Në kampin e qëndrimit të përkohshëm, në çdo 100 emigrantë do te ketë 5 punonjës ditorë, 2 punonjës gjatë natës, 1 përgjegjës, 1 nënpërgjegjës, 4 operator socialë. 1 operator informatikë, 1 psikologë, 2 administrator dy gjuhësh shqip e italisht, 10 ndërmjetësues gjatë ditës e 2 gjatë natës, 2 shoferë, 1 magazinierë, në çdo 4 orë 4 informues ligjorë.