Manchester City futet në garë për shërbimet e Jarrad Branthwaite. 21-vjeçari po zhvillon një sezon të shkëlqyer me Evertonin, ndërsa pritet ta nisë nga minuta e parë për Anglinë ndaj Belgjikës.
Pavarësisht cilësisë së lartë që City ka në mbrojtje, me Gvardiol që ishte investimi i fundit i rëndësishëm 77 milionë paund, Guardiola synon ta mbajë skuadrën e tij kompetitive.
Tekniku spanjoll gjithnjë ka investuar shumë për mbrojtësit e tij që pas mbërritjes së tij në vitin 2016, duke nënshkruar me lojtarë si Walker, Stones, Laporte, Dias apo dhe Gvardiol. Mbrojtja solide ka qenë shpesh çelësi i suksesit për “The Citizens”, në kampionat, por edhe në Europë.
Jarrad Branthwaite përmbush kriteret e duhura për të qenë një lojtar i Cityt, pasi organizon shkëlqyeshëm lojën nga mbrojtja, ka ngjashmëri në aspektin teknik me John Stones dhe shquhet për superioritetin në duelet ajrore. Interes për Jarrad Branthwaite ka shfaqur edhe Manchester United, Tottenham Hotspurs dhe Real Madridi dhe si rrjedhojë konkurrenca do të jetë e lartë për qendërmbrojtësin.
Everton kërkon 60 milionë paund nga shitja e 21-vjeçarit. Sezonin e kaluar Branthwaite e kaloi në huazim tek PSV Eindhoven duke qenë titullar i padiskutueshëm gjatë gjithë sezonit, ndërsa këtë vit në Premier League ka luajtur në 25 ndeshje dhe ka shënuar edhe dy gola.