Ballina Kulturë Një skenë lëvizëse mes transformizmit dhe ekzistencializmit poetik

Një skenë lëvizëse mes transformizmit dhe ekzistencializmit poetik

130
0

Nga Pol Milo

(Poezia e Agim Bajramit, dhunti përherë në perfeksion)

… zymtësisht harqeve bjerini,

e si tym do te ngjiteni mbi qiej,

ku një varr i gjërë mbi re

ju pret, të shtriheni lirshëm…

Paul Celan

Ethet e traditës së të shtunës poetike durrsake fillojnë e përhapen si valët e detit në pranverë. Edhe pse dita fillon e ngrohet, ato sërish transmetojnë një emocion ndryshe. E shtuna poetike durrsake ka qenë një traditë e hershme që në kohën e Moikom Zeqos dhe që studiuesi Fatmir Minguli e ka ritranskriptuar nëpërmjet studios së botimeve durrsake 2M, duke e rikthyer në një traditë të përjavshme takimesh kozmopolite, pa përcaktuar se kujt yjësie poetike i takon. Kurse ethet poetike nuk janë po aq të rastësishme që mbajnë këtë emër, edhe për shkak të ndryshimeve të shumta së fundmi, por që termometrin e tyre e mban botuesi.

Kisha kohë që doja të shkruaja për Agim Bajramin dhe poezinë e tij, por mora nxitjen edhe nga takimi poetik i të shtunës, me poetët e mirënjohur durrsakë Agim Bajrami dhe Vladimir Muça, ky i fundit e cilësoi edhe si një takim të frytshëm bashkëpunimi në artin e të shkruarit. Janë pikërisht këto bashkëpunime artistike të cilët frymëzojnë për të ecur përpara shkallët e skenës artistike. Të flasim për një poet tashmë të mirëfilltë të certifikuar ndërkombëtarisht, të njohur gjërësisht jo vetëm në rajon si Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, por edhe me poezi të përkthyera në mjaft gjuhë si Anglisht, Italisht , Greqisht, Serbisht botuar në revista letrare, si edhe së fundmi në Frengjisht ku është zyrtarisht pjesë e antologjisë shqiptaro-franceze La Poésie Contemporaine Albanaise (botime L’Harmattan, promovuar në Ambasadën e Kosovës në Paris). I nderuar me mjaft çmime dhe mirënjohje, ai tashmë e kthen në vlerë pjesëmarrjen në festivalet poetike.

Disa nga këto pjesëmarrje kanë qenë me emocione të veçanta, si takimi i poezisë Joniane në Sarandë, festivali kombëtar i poezisë që u zhvillua në mjediset e Torrës Veneciane në Durrës, apo konkursi kombëtar “Fjala Poetike Tiranë 2024”, ku së fundmi poezia e tij “Ju mund”, u vleresua me çmim special.

Në vargjet e saj:

Ju mund të qeshni veç për vete

Tani është koha për të qarë

Eshtë tmerr ta shohësh atdheun të dergjet

agim Si Krisht nën kryq, nga ca barbarë

shihet qartë një përqasje dramatike dhe simbolike e fatit të atdheut, me një vështrim të thellë ndaj realitetit të tronditur.

Në festivalin kombëtar të poezisë të organizuar nga Qendra Kombëtare e librit dhe leximit, në brendësi të Torrës Veneciane në Durrës, në mbrëmjen ku e ftuar ishte vetë Flutura Açka, e vleresoi personalisht duke i liruar vendin e saj poetit Agim Bajrami, e duke rikujtuar momente të krijimtarisë së tyre të hershme.  Shkrimtari dhe romancieri i madh durrsak Bashkim Hoxha, e ka përmendur disa herë poezinë e Agim Bajramit gjatë promovimeve të librave të tij, përfshirë edhe në mjediset e Muzeut Arkeologjik, ku thote se ai është poet midis qiellit dhe tokës. Poeti lëviz mes realitetit dhe ëndrrës, duke shprehur ndjenjat e tij me një gjuhë të pasur dhe të lirë. Ai është një poet i qiellit, por ama është edhe poet i tokës dhe kjo i jep një përmasë komplekse dhe madhore krijimtarisë së tij të pjekur poetike. Poeti Vladimir Muça thekson se: “poezia sociale e Agim Bajramit ka kapur universin shoqëror, ku metaforat dhe nënteksti i tyre vjen bindshëm me mesazhet që përcjell tek lexuesi”, poeti durrsak Ilir Paja thotë se poezia e Agim Bajramit ka një stilistikë me veçanti letrare, ndërsa shkrimtari Erjon Muça e konsideron si mjeshtër të mikrostrukturës poetike. Studiuesi Fatmir Minguli vlerëson shkrimet e tij kritike duke sjellë një frymë të re në mënyrën e të shkruarit, ku kritika nuk është më kritikë, por një buqetë me mendime të freskëta dhe të këndshme.

Të gjitha këto diskutime u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët dhe u përplasën bashkë me ndjesinë e etheve apo pranverës artistike, në mënyrë që ti hapin rrugë ideve dhe projeksioneve për një të ardhme artistike qytetare. Por epoka transformiste, që nuk mbaron me kaq, përfshin idetë dhe projeksionet ku gjenialiteti i njeriut qëndron pikërisht mbi këtë. Epokale!

Përse? Sepse njeriu ndryshon, është qenie që përshtatet sipas teorisë darviniane, e kur vjen puna te teoria e aplikuar, askush më mirë se praktika nuk mund ta demonstrojë atë më bukur. Dhe bukuria e terrenit është vargu poetik, ndërsa teoria fshihet nga katedrat përtej faqeve të librave dhe studimeve.

Emocioni poetik është ai që sfidon ndërgjegjen e kulluar kantiane dhe i jep poetit armën e fortë. Nënvetëdijen. Prandaj askush nuk përballet dot me poetin. Atë të vërtetin. Është frika! Frika nga e panjohura. Prandaj poezia e Agim Bajramit është një leksion. Ajo vjen si leksion kundër falsitetit poetik dhe kritika më e mirë është ky leksion që del vetvetiu, pa u thënë, por duke u lexuar. Kështu transformizmi poetik mer formën e një feneri koordinativ i cili çlirohet nga komplekset e arsyes dhe futet në labirinthet e kërkimit mendor.

Unë gjithmonë kam besuar në të vërtetat e thjeshta

Dhe kurrë në të vështirat

Transformizmi poetik është një ndërprerje e thellë dhe një evoluim i dukshëm në mënyrën se si një poet shpreh ndjenjat, mendimet, dhe perspektivën e tij nëpërmjet poezisë. Ky lloj transformimi është shpesh i lidhur me zhvillimin personal, rritjen emocionale, ose ndryshimet thelbësore në jetën e poetit. Ai mund të jetë rezultat i përvojave të reja, arritjeve të rëndësishme, ose refleksionit të thellë mbi kuptimin e jetës dhe ekzistencës. Në transformizmin poetik, poezia shërben si një shpikje artistike dhe emocionale, duke shfaqur një përqasje të re ndaj temave dhe stileve të përdorura më parë nga autori.

Në një perspektivë emocionale, transformizmi poetik shpreh një lloj rrezatimi shpirtëror dhe një lindje të re të ndjenjave, duke e bërë poezinë një mjet shumëngjyrësh për të shprehur thellësinë e emocioneve dhe mendimeve të një autori në kohë. Vargjet poetike janë një shprehje e transformizmit poetik, sepse ato ndryshojnë gjuhën dhe kuptimin e një poezie në një formë të re dhe të sfiduese.  Në librin “Poetik der Transformation” mbi Paul Celan, theksohet se subjekti që flet është si një kordë e pezulluar në hapësirën e rezonancës, ku gjërat janë si “trupa violinash”, dhe poema është konceptuar si një transferim nga një hapësirë e brendshme në një hapësirë të jashtme (ose anasjelltas) me anë të një paraqitjeje analogjike.

Në librin e tij “Ylberë pa lamtumirë” botime 2M Durrës, poezia Një i çmendur qan një buburrec të vdekur sjell një tablo të ngjashme me një skenë lëvizëse surrealiste:

 

Një i çmendur qan një buburrec të vdekur

(Lotët nuk ka qejf që t’i mbulojë).

Njerëzit para tij kalojnë të heshtur

Por askush s’pranon ta ngushëllojë

duke shpalosur një realitet të ndryshuar dhe emocione të një bote të panjohur, ndërsa thellon ndjesinë e vetmisë dhe mungesës së lidhjes njerëzore. Në shumicën e krijimtarisë së tij, mund të vërehet një rrugëtim poetik dhe emocional, paralelisht me udhëtimin e tij intelektual. Në periudhat e mëvonshme, poezia e Agim Bajramit evoluon duke përfshirë ndjenja më komplekse dhe përgjegjësi më të thella. Autori shfaq një ndikim të thellë filozofik dhe një reflektim më të thellë mbi eksistencën dhe vlerat njerëzore. Nga poezia më romantike deri tek ajo më reflektuese dhe filozofike, autori ka lëvizur nëpër kohë, duke ruajtur identitetin e vet poetik dhe një ndikim të qëndrueshëm te lexuesi. Kjo e bën krijimtarinë e tij të pasur dhe të njohur për gjerësinë dhe kompleksitetin e shprehjes së tij poetike.

Lëviz një vajzë përreth një puthje

Lëviz dhe unë rreth saj pa ndjerë

Ne mund të kemi qenë të dashur

Por s’jemi parë asnjëherë

Imazhi i një vajze që lëviz përreth një puthje shkakton një ndjesi të bukurisë dhe intimitetit. Përshkrimi i lëvizjes së saj krijon një pamje magjepsëse dhe prekëse. Këto vargje shprehin një ndjesi të romantizmit ekzistencial duke krijuar një peizazh emocional për lexuesin si reflektim mbi dashurinë.

Më duhet të bind veten për domosdoshmërinë e harresës

Por kurrë të kaloj tek urrejtja

Simbolika e harresës përfshin një akt të ri-lindjes shpirtërore. Në këtë dritare të fshehtë emocionesh, harresa krijon një peisazh të ri, një horizont të pastër në qoftë se duam të përshkojmë të ardhmen. Ajo është një portë magjike që hapet drejt një dimensioni të ri të vetëdijes. Në këtë rrugëtim shpirtëror, harresa është një ritual i përtëritjes dhe një risjellje e ndryshuar e vetvetes. Poezia e Agim Bajramit, si shprehje e ndjenjave dhe refleksioneve të tij, ka levizur nëpër kohë me një përqasje të pasur dhe të ndryshueshme, si një skenë e madhe lëvizëse. Kjo skenë, që lëviz mes transformizmit dhe ekzistencializmit, përherë e në perfeksion, është një dhunti e veçante poetike dhuratë nga universi.