Shqipëria U21 nuk mundi të rezistonte në Air Albania përballë moshatarëve të Zvicrës. Në ndeshjen e vlefshme për Grupin E të kualifikueseve për Euro 2025, kuqezinjtë u dorëzuan me shifrat 1-3. Ndeshja nisi me vrull për të besuarit e trajnerit Alban Bushit, megjithatë ata që shënuan ishin miqtë me anë të një goditje dënimi në minutën e 28 nga Surdez.
Simon Simoni provoi t’i ndryshonte udhë topit, por nuk mundi pavarësisht përpjekjeve maksimale. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, teksa në fraksionin e dytë, kuqezinjtë reaguan dhe kërkuan me ngulm golin.
Për t’u theksuar një episod i minutës së 54, kur Pajaziti fitoi duelin e shpejtësisë me mbrojtësin kundërshtar duke shkuar i pari te topi. Por, arbitri çuditërisht nuk e vlerësoi si një faull dhe vijoi normalisht lojën. Pesë minuta më vonë, Zvicra U21 shënoi edhe golin e dytë.