Ballina Aktualitet U kap me kokainë, zbulohet ‘Call Center’ i Shkëlqim Ostrenit! Mashtronin italianët...

U kap me kokainë, zbulohet ‘Call Center’ i Shkëlqim Ostrenit! Mashtronin italianët duke u marrë deri në 30 mijë euro

54
0

Kokaina e gjetur në Rrugën e Kavajës mbrëmjen e 21 marsit në Tiranë, ku u kapën 3 persona, njëri prej të cilëve tentoi të shtyp agjentët e antidrogës me makinë, zbuloi një call center në rrugën “Idriz Guri” në Astir, në të cilin ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i mashtrimit me bursën FOREX.

Ambienti është në pronësi të njërit prej personave të arrestuar, Shkëlqim Ostreni, dhe një tjetri, i shpallur në kërkim nga AMP.

Gjatë kontrollit në këtë ambient, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dokumenta, pajisje të ndryshme dhe njësi kompjuterike, në të cilat ishin të instaluara programe, aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga operatorët, duke i mashtruar për investime në bursë, nëpërmjet të cilave arrinin të përfitonin vlera monetare të konsiderueshme, që variojnë nga 500 deri në 30 mijë euro për person.

Për të dy pronarët u caktua “arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës, në akuzë për mashtrim kompjuterik, ndërsa Ostreni është në akuzë më herët për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Identifikimi i këtij call center u bë pas këqyrjes së detajuar të komunikimeve telefonike mes 3 të arrestuarve dhe personave të tjerë, deklarimeve të disa personave që tregojnë rrethana të hetimit, si dhe këqyrjes së pamjeve filmike.

Më herët nga komunikimet e treshes Eneo Sulejmanaj, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj u arrestua oficeri i Operacionales, Ervis Shkurta, i cili dyshohet pjesë e grupit kriminal. “Visi i Pazarit” ka qenë afër vendit të ngjarjes kur Sulejmanaj tentoi të shtyp me makinë agjentët e Antidrogës dhe sapo ka parë që kolegët e tij ndërhynë, ka njoftuar grupin tjetër që prisnin për të marrë kokainën.