Ballina Politika 15 vjet në NATO – Meritë e Berishës, apo e konjukturave dhe...

15 vjet në NATO – Meritë e Berishës, apo e konjukturave dhe lobimit të SHBA?

38
0

“Shqipëria shënon 15 vite e anëtarësuar në organizatën më të fuqishme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Me këtë rast Partia Demokratike nderon këtë arritje madhore për vendin, e cila u realizua gjatë qeverisjes së saj nën drejtimin ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Për të nderuar këtë ditë, në fasadën e selisë së PD, është vendosur një baner 23 metra i gjatë dhe 6 metra i gjerë”.

Kështu shkruan portali i familjes Berisha.
Sali Berisha dhe mediat e tij, hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave, i shohin si dy arritjet më të mëdha të qeverisjes së tij dhe krenohen me to.

Madje, deri para dy vitesh, para se të prisheshin me Lulzim Bashën, mburrnin dhe këtë të fundit për liberalizimin e vizave, duke qenë se në atë kohë ishte ministër i Jashtëm.

Por a është vërtetë meritë e Berishës dhe qeverisë së tij, anëtarësimi në NATO?

Në fakt, vetëm një muaj para se Shqipëria të anëtarësohej në NATO, ndodhi një nga ngjarjet me të rënda, Gërdeci.

Dhe siç dihet, pas asaj afere korruptive, qendronte djali i Sali Berishës, Shkëlzeni.

Do të mjaftonte vetëm ajo ngjarje, për të kuptuar se Shqipëria në fakt, nuk ishte gati për NATO, edhe pse për të justifikuar përfshirjen e vet në të, Fatmir Mediu tani thotë se mund të ketë qenë vepër e rusëve, në mënyrë që ne të mos anëtarësoheshim në NATO.

Anëtarësimi në NATO, në fakt është vetëm falë konjukturave të atëhershme dhe lobimit të fortë të SHBA-së.

Pa ndikimin e Uashingtonit, Shqipëria ndoshta as sot nuk do të ishte pjesë e NATO-s.

Ndaj mirë do të bëjnë të tregohen paksa më modestë, se shqiptarët nuk janë si ai grumbulli njerëzish që shkon poshtë penxheres së Sali Berishës dhe beson çdo gjë që del nga goja e tij.

Dhe të kuptojnë, se pa SHBA, që e sulmojnë çdo natë nga “rrugica e shpresës”, Shqipëria do të ishte shumë më e dobët dhe e ekspozuar ndaj atyre që nuk na e duan të mirën./TemA