Sulmi ndaj një oficeri Policie që u njoftua si një konflikt banal me fqinjin, në fakt ishte një sulm i mirëfilltë kriminal që kishte si qëllim vrasjen e tij.
Admir Okaj, aktualisht shef i rendit të Gramshit, rezulton të jetë goditur 3 herë me thikë pas shpinë, dy herë në qafë dhe një herë në shpatull.
Ngjarja ndodhi të hënën në zonën e “Zdrales” në Shkodër dhe Policia tha se pas disa orësh autori, Ormir Gucia u arrit të arrestohej.
Janë siguruar pamjet e një kamera sigurie që ka fiksuar momentin e sulmit.
Siç shihet nga këto pamje, oficeri Admir Okaj është duke biseduar me dy vajza, që pas saktësimit rezultoi të jenë mbesat e tij dhe në një moment, një person i maskuar me kapele dhe me syze vjen me vrap drejt tij dhe e godet disa herë me një objekt të fortë nga mbrapa.
Okaj vetëmbrohet dhe nxjerr nga brezi një pistoletë që fillimisht ia drejton autorit, me qëllim për ta neutralizuar, më pas e godet në kokë me tytën e armës.
Admir Okaj pasi merr mjekim në spital, jep edhe dëshminë e tij. Kjo ngjarje është referuar në Prokurori si vrasje e mbetur në tentativë.
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, ngjarja dyshohet të ketë lidhje me detyrën e oficerit Admir Okaj, i cili më parë ka qenë pjesë e FNSH-së së Shkodrës, ku ka shërbyer për 23 vjet.
Departamenti i Policisë Kriminale ka një dosje lidhur me kërcënimet që ai ka marrë gjatë detyrës së tij nga grupi Bajri. Madje edhe ngjarja e së hënës shihet si një hakmarrje për shumë arrestime e shoqërime që ai ka kryer.
Në vitin 2000 ka arrestuar për armëmbajtje pa leje edhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, i arrestuar gjatë operacionit Metamorfoza, bashkë me anëtarë të grupit Bajri.