Ballina Aktualitet E bleu kompaninë për vetëm 9 mijë euro, kush është Nestor Muhametllari,...

E bleu kompaninë për vetëm 9 mijë euro, kush është Nestor Muhametllari, biznesmeni i akuzuar nga SPAK për dosjen “5D”

143
0

Nestor Muhametllari është një nga nëntë personat e vënë nën akuzë këtë të enjte nga SPAK në kuadër të operacionit të dosjes “5D”. Biznesmenit i është komunikuar masa “Detyrim Paraqitje”, ndërsa agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kontrolluar dhe banesën e tij.

I përmendur disa herë gjatë gjithë kësaj periudhe të hetimit, Muhametllari është biznesmeni që bleu dhe zotëron 100 përqind aksionet e kompanisë “5D Konstruksion”.

Po kush është Nestor Muhametllari?

Biznesmeni doli në skenë në mars të vitit 2021, teksa Muhamet Petriti i shiti kompaninë “Vas Konstruksion” pikërisht te ai për shifrën e 1 milionë lekë të reja ose afro 9 mijë euro. Nëntë muaj më vonë, kësaj kompanie i ndryshohet emri në “5D Konstruksion”.

Bilanci i kompanisë zbulonte se tre muaj para shitjes, pra në fund të vitit 2020, ajo kishte 60 milionë lekë ose 540 mijë euro në banka. Paralelisht “5D Kontruksion” nuk kishte asnjë borxh dhe kësisoj llogaritë e arkëtueshme ishin dukshëm më të larta se ato të pagueshme. Dhe në këtë mënyrë, i përfitoi blerësi Muhametllari me vetëm 9 mijë euro.

E thënë ndryshe kjo kompani me vlerë miliona eurosh, u shit për vetëm 9 mijë euro. Katër muaj pas blerjes së kompanisë, Muhametllari i shpërndau vetes si pronar 358 mijë euro divident nga fitimet e marra në vitin e mëparshëm.

Pikërisht te shitja e kompanisë shfaqet një veprim i çuditshëm pa logjikë financiare duke lindur dyshimi i arsyeshëm për organet hetuese.

Por çudia nuk përfundon ketu. Kjo kompani përpara se të shitej ishte veç të tjerash subjekt ndërtues në një leje ndertimi miratuar me firmën e Erion Velisë, shefit të Mariglen Qatos, në 2 shkurt 2021 për nje godinë 8-9 katëshe me dy të tjerë parkim nëntokësor.

Më pas, kjo kompani me pronar Nestorin, ka fituar dhe 2 leje ndertimi te tjera (si investitor dhe ndërtues), njëra përball KLAN-it aty ku dhe ka patur shtëpinë Mariglen Qato.

Ndërkaq, në një hulumtim të shpejtë në “Open Corporates” rezulton se biznesmeni Nestor Muhametllari ka përfituar plot 88 486 994,20 lekë përmes 5 kontratave publike nga qeverisja vendore. Sot është nën akuzë nga SPAK për akuzën e Korrupsionit Aktiv ndaj Personave që ushtrojnë Funksione Publike.