Ballina Kosovë Kurti thirrje prokurorisë të bëjë më shumë për masakrën e Podujevës

Kurti thirrje prokurorisë të bëjë më shumë për masakrën e Podujevës

70
0

Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë lidhur me arrestimin e kryerësve të masakrës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë.

“Ne edhe një herë i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të bëjë më shumë në mënyrë që këta vrasës mizor të familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu të ndodhen prapa grilave sepse ka pasur shumë më tepër ekzekutorë dhe urdhërdhënës të kësaj ekspedite kriminale gjenocidale se sa që janë përballur në procesin e drejtësisë, ku siç dihet në Serbi nuk ka pasur drejtësi për këto familje”, ka theksuar Kurti pas homazheve tek varret e familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu në Podujevë.

Kryeministri tutje tha se dëshmorët na e përkujtojnë se sa i lartë ishte çmimi i shtetit dhe lirisë që e gëzojmë sot dhe se si rrënjët e shtetit dhe të lirisë janë te gjaku i martirëve dhe i dëshmorëve.

”Njëkohësisht zëri ynë do të jetë gjithnjë më i fuqishëm si institucional ashtu edhe qytetar për kërkim të drejtësisë”, ka shtuar ai.

Kurti tha se në këtë masakër janë vrarë shtatë gra e shtatë fëmijë, por që përkundër një procesi gjyqësor në Serbi nuk ka pasur drejtësi të mjaftueshme. “Fëmijët kanë qenë prej 2 vjeç deri në 15 vjeç dhe me këtë rast është mbajtur një proces gjyqësor në Serbi, ku janë dënuar disa pjesëtarë të njësitit famëkeq Shkorpion, të cilët kanë kryer vrasje edhe në gjenocidin e Srebrenicës dhe ata të dënuar maksimalisht me 20 vjet pa u penduar, kur i kanë mbajtur 2/3 e dënimit janë liruar. Kryesori i tyre Sasha Svjetan është arrestuar në dhjetorin e vitit 2022 në Athinë, si kreu i një karteli të drogës atje. Kjo tregon se si kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar në paqe janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por ne kemi nevojë për drejtësi institucionale në Kosovë dhe rajon”, ka nënvizuar Kurti.