Ballina Opinion Makinat e reja pa certifikatë konformiteti shtohen në treg

Makinat e reja pa certifikatë konformiteti shtohen në treg

115
0

Nga Shpëtim Luku

Bizneset që  merren me tregtimin e makinave të  reja nuk po rreshtin së  përballuri me atë  që  quhet konkurencë  e pandershme dhe e padrejtë  në  këtë  treg. Deri para disa viteve problemi i tyre ishin makinat tejet të përdorura, me moshë  20-25 vjecare  që  importoheshin nga vende të  ndryshme të  Europës. Jashtë standarteve. Duke krijuar kë shtu problematikë për vendin, por edhe për përfaqësitë e makinave të reja. Të gjitha kompanitë e tregtimit të makinave të reja së bashku nuk kanë mundur të  kalojnë  numrin e 3 mijë  makinave deri para pak vitesh.  Kurse tani jemi në  kushtet e një  realiteti të  ri, ku disa operatorë  tregu janë  zëvëndësuar me disa të  tjera, ku makinat elektrikë  janë  bë rë  pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së këtyre koncensionareve, duke arritur deri në  mbi 30 për qind të  numrit të  përgjithshëm të  shitjeve. Por problemet mbeten të vjetra. Konkurenca e padrejtë dhe e pandershme ështe një nga arsyet kryesore pse sektori i shitjes së  makinave të  reja paraqet këtë  tablo që ka aktualisht. Pra, ku numri total i makinave të  shitura është  rreth 4000 për vitin 2023 dhe pjesa dërmuese e këtij numri shitjesh është e realizuar prej 3-4 kompanish? Dhe përvec të tjerave, “kali”  kryesor me të cilën konkretizohet kjo konkurencë  janë  makinat kineze të  destinuara vetëm për tregun kinez. Mënyrën si bëhet ky biznes, pasojat e tij për konsumatorin dhe vetë  distributorët i tregon njëri nga aktorët kryesorë  të  tregut të  makinave të  reja, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë  “Albanian Motor Company”, Gentian Karaj nëpërmjet intervistës së mëposhtme

 Çfarë pasojash i sjell konsumatorit konkurenca me makina kineze të destinuara për tregun kinez që shiten në Shqipëri ?

Konsumatori Shqiptar gjendet përballë një produkti të pa certifikuar nga vetë prodhuesi i tij, i cili nuk i përmbush standartet e detyrueshme të tregut europian.

Kjo sjell që produkti të mos ketë asnjë lloj garancie jashtë tregut Kinez dhe konsumatori të gjendet i pambuluar nga suporti teknik i koncesionareve.

Edhe në rastin kur blihet një markë europiane, por e prodhuar dhe e destinuar për tregun Kinez, koncesionaret e këtyre markave në filalet e tyre në Europe dhe në Shqipëri, e kanë të pamundur të ofrojne suport teknik, apo garanci, pasi vetë marka mëmë, nuk ja mundëson dicka të tillë.

Pse është jo normal tregtimi i tyre në Shqipëri ?

Tregtimi i këtyre automjeteve ndodh në shkelje të hapura të legjislacionit Shqiptar dhe nuk ndodh në asnjë treg tjetër në Europë, përfshirë Kosovën.

Ç’duhet të bënte shteti që faktikisht nuk e bën ?

Shteti përvecse duhet të mbrojë kompanitë “franchise” të markave prestigjoze botërore nga konkurenca e pandershme informale, në fund të fundit duhet thjesht të zbatojë ligjet e veta.

Cdo automjet i ri me 0 kilometra, që të hyjë në Shqipëri dhe më pas të mund të regjistrohet dhe targohet duhet të disponojë një dokument që quhet “Certifikata e Komformitetit” të standarteve Europiane.

Asnjë nga këto automjete që mbërrijne nga Kina, nuk e disponojnë këtë dokument.

Pa të ‘teorikisht’ është e pamundur që mjeti të hyjë në Shqipëri, e aq me pak të dalë në rrugë.

 Pse është konkurencë e pandershme edhe për koncensionaret ?

Konkurenca e tillë është sigurisht e padrejtë për një koncesionar zyrtar, i cili detyrohet të përmbushë të gjitha standartet që kërkojnë markat e automjeteve, si në facilete, ndërtesa, hapësira, trajnim dhe numër i përcaktuar stafi, i cili mundëson qindra vende pune në ekonominë tonë, për të ofruar sherbimin e kërkuar nga ‘franchise”, produktin e standarteve të përcaktuara për tregun Europian, si dhe garancinë e dhënë nga prodhuesi i këtij produkti.

Përballë koncesionarit zyrtar, pozicionohet një shitës ambulant, shpesh herë me një ‘kasolle’ ku ka  vetëm një tavolinë, një laptop dhe një roje, dhe ky shites pretendohet se po shet dhe po përfaqëson markat prestigjoze botërore automjetesh!!!