Parlamenti i Indonezisë caktoi status të veçantë për Xhakartën, duke e mbajtur metropolin si epiqendrën ekonomike të vendit, mes planeve për të zhvendosur kryeqytetin në ishullin Borneo.
Indonezia planifikon të largojë kryeqytetin e saj nga Xhakarta e mbingarkuar dhe e fundosur, në Nusantara, një qytet 32 miliardë dollarësh duke u ndërtuar në xhunglat e Kalimantanit në Borneo.
Qyteti është projekti kryesor i presidentit në largim Joko Widodo, i cili u zotua të rishpërndajë pasurinë dhe zhvillimin e përqendruar aktualisht në Java, në të gjithë arkipelagun.
Një këshill do të krijohet për të harmonizuar planet e zhvillimit midis Xhakartës dhe qyteteve të saj satelitore, sipas një kopje të ligjit të ri të datës 18 mars të parë nga Reuters.
Ministri i Punëve të Brendshme, Tito Karnavian tha pas diskutimeve në parlament se Xhakarta duhet të përmirësohet ende për të konkurruar me “qytetet e tjera të klasit botëror”, pasi selia e qeverisë të jetë zhvendosur në Nusantara.
“Pasi nuk është më kryeqytet, duhet të vuloset me një status të veçantë që të mund të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe të rrisë kontributin në GDP-në e vendit”, tha ai.
Sipas rregullave aktuale, Xhakarta do të mbetet kryeqyteti i Indonezisë derisa presidenti të nxjerrë një dekret duke emëruar zyrtarisht Nusantara si kryeqytetin e ri, i cili pritet diku këtë vit.
Qeveria pritet të mbajë ceremoninë e ditës së pavarësisë së vitit 2024 më 17 gusht në Nusantara, kurse mijëra nëpunës civilë pritet të zhvendosen atje deri në fund të këtij viti.