Kombëtarja i mbylli angazhimet e veta në miqësoret e marsit, ku pësoi dy humbje, një me Kilin 3-0 dhe një ndaj Suedisë 1-0. Por dallimi i të luajturit nga ndeshja e parë në të dytën kishte diferencë të madhe, pasi ndaj suedezëve ekipi u paraqit mjaft mirë dhe pavarësisht se humbi, në fushë ai dominoi me veprimet e bukura, lojën intensive e me fantazi, por edhe shumë raste shënimi, ku vlen të kujtohet një penallti e mohuar për Brojën. Ndërkohë, një nga lojtarët më të mirë në fushë, në të dy ndeshjet, ishte padyshim Mario Mitaj, lojtar që pavarësisht se është 20 vjeç, luan sikurse të ishte veteran i fushës së lojës, me një vetëbesim të madh dhe me teknikë të admirueshme, duke mbuluar mjaft mirë rolin e tij të mbrojtësi të majtë. E thonë edhe specialistët që Mario Mitaj ishte ndër më të mirët e Shqipërisë në miqësoren kundër Suedisë në “Friends Arena”. 20-vjeçari është kthyer në një titullar fiks te kombëtarja shqiptare, duke qenë një nga të paprekshmit e Silvinjos. Anësori i majtë luan në Rusi me Lokomotivën e Moskës, klub që ka refuzuar çdo ofertë në merkaton dimërore. Dhe po pret verën për të përfituar sa më shumë nga shitja e Mitaj. Shumë klube janë të interesuara për djaloshin nga Malësia e Madhe, i cili ka përfunduar edhe në radarin e Juventusit. Mitaj ka lindur në Athinë, Greqinë e do dhe e vlerëson, por në zemër dhe shpirt ndihet shqiptar 100%. Fjalë dhe emocione që i konfirmoi në një prononcim për rusën Sport24. “Fakti që kam lindur në Athinë nuk më bën mua grek. Kam shumë miq atje, e dua Greqinë për mundësitë që më ka dhuruar mua dhe familjes sime. Por më shumë dua Shqipërinë. Jam një patriot i vendit tim. Kur shoh flamurin kuqezi dhe bisedoj me bashkatdhetarët e mi, mbushem me një ndjenjë krenarie”, theksoi Mitaj, me një ndjenjë të lartë patriotike.
Çelsi do ta shesë Brojën në verë, e thonë mediat britanike
Armando Broja nuk shkëlqeu shumë me Kilin, pasi kishte vetëm pak minuta në dispozicion dhe nuk kishte kohë të tregonte më shumë nga vlerat e tij, por në miqësoren ndaj Suedisë, ku trajneri Silvinjo e aktivizoi titullar, Broja luajti ndeshje shumë të mirë dhe specialistët e përzgjodhën atë si kandidaturë më e mirë për sulmin nga të gjithë të tjerët. Ndërkohë, referuar mediave që ndjekin merkaton në Premier League, vazhdon të flitet vazhdimisht e ardhmja e Armando Brojës. Sipas “Football Insider”, Broja mund të largohet përfundimisht gjatë afatit kalimtar të verës nga skuadra e Çelsi. Ekipi londinez do të dëgjojë ofertat për sulmuesin shqiptar dhe mesfushorin anglez, Konor Gallaghe. Anglezët po përpiqen të shmangin shkeljen e rregullores financiare të Premier Leagues. Broja u huazua te Fulhami nga skuadra e Çelsit në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit. Me Çelsin, Broja ka kontratë deri në qershor të vitit 2028. Në edicionin aktual ka shënuar dy gola dhe ka bërë tri asistime në 23 ndeshje në të gjitha garat në Angli.