Ballina Kosovë Ministrja e Malit të Zi: Do ta përkrahim anëtarësimin e Kosovës në...

Ministrja e Malit të Zi: Do ta përkrahim anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës në fazën finale

104
0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviç kanë folur sot lidhur me votën kundër ndaj Kosovës të deputetes serbe nga Mali i Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare, e cila kundërshtoi raportin e Dora Bakoyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një deklaratë për media tha se Mali i Zi nuk ka votuar kundër Kosovës, por një deputete që përfaqëson një parti politike që shkon kundër qëndrimeve të Malit të Zi.

“Përfaqësimi në Këshill të Evropës është i tillë që duhet të reflektojë edhe përbërjen politike të parlamenteve nacionale dhe rrjedhimisht Maja Vukiçeviç përfaqëson një politikë që shkon kundër qëndrimeve të Malit të Zi… Edhe ne në Parlamentin e Kosovës kemi Listën serbe që veprojnë dhe punojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, me rëndësi është që vota e Vukiçeviçit nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Malit të Zi. “…Por votat si kjo tregojnë se sa e rëndësishme është intensifikimi i bashkëpunimit dhe margjinalizimi i veprimeve të tilla”, tha zëvendëskryeministri.

Ndërkaq, edhe ministrja për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviç tha se kjo votë nuk flet për qëndrimin e Malit të Zi ndaj Kosovës. Ministrja malazeze shtoi se do të përkrahet Kosova drejt KiE-së, në Këshillin Ministror i cili mbahet në muajin maj, që i bie në fazën finale.