Ballina Kosovë Mocion apo dorëheqje? Opozita kërkon zgjedhje, Qeveria e palëkundur, refuzon të dorëzohet

Mocion apo dorëheqje? Opozita kërkon zgjedhje, Qeveria e palëkundur, refuzon të dorëzohet

55
0

Në skenën politike të vendit, tensionet ndërmjet pozitës dhe opozitës janë duke u rritur dhe përfundimi i parakohshëm i mandatit qeverisës të qeverisë aktuale duket të jetë afër.

Në një kohë kur qytetarët presin stabilitet dhe zgjidhje për problemet e tyre, ajo që po vendoset në qendër të vëmendjes janë shkëmbimi i akuzave ndërmjet dy taborëve politike.

Opozita, duke shprehur shqetësimin e saj për gjendjen aktuale të vendit, ka nisur një fushatë të fortë me kërkesën për zgjedhje të reja për zgjedhje të reja. Madje PDK-ja tashmë ka shpallur kandidatin e saj për kryeministër, që do të jetë z. Bedri Hamza.

Megjithatë, përballë kësaj thirrjeje, qeveria po qëndron e palëkundur.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme përmes dorëheqjes së qeverisë.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar diskutime për të parë mënyrat sesi të shkohet në zgjedhje të parakohshme, megjithatë dallimet ende janë të mëdha. Derisa në PDK theksuan se do të angazhohen që deri në fund të muajit prill të shpërndahet Kuvendi, në LDK dhe AAK vazhduan të kërkojnë shkarkimin ose dorëheqjen e kryeministrit Kurti për të shkuar në zgjedhje.

Në anën tjetër, në partinë në pushtet potencuan nevojën që paraprakisht të ketë një koordinim dhe dakordim ndërmjet partive politike për të caktuar datën e zgjedhje, pasi thanë se vendi s’është në një situatë të jashtëzakonshme që të shkohet në zgjedhje.

Në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” foli Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike.

“Komenti im është pozitiv, vetëm duhet të ketë ose konsensus të plotë në Kuvend mes grupeve parlamentare, ose një mocion, apo dorëheqjen e kryeministrit dhe shpërbërjen e Kuvendit. Pra, çështja kryesore mbetet te numrat ose konsensusi”, u shpreh Burjani.

Sipas Burjanit, LVV-ja nuk do ta ketë më shumicën absolute, por do t’i duhet të bëjë koalicion me LDK-në dhe AAK-në.

“Sa për interesin e PDK-së për të shkuar në zgjedhje, është çështje e llogarive të bëra. VV nuk do të ketë më shumicën, VV mund të dalë para me rezultat zgjedhor, por vetë nuk mund të bëjë qeveri. Deri tash ata si VV kanë llogaritur në LDK dhe në AAK për partnerë koalicion. Mendoj se është shumë e drejtë të shkojmë në zgjedhje”, ka potencuar ai.

Ai shtoi se VV-ja ka nevojë që t’i ketë në koalicion partitë tjera politike në situatën aktuale.

“Është e qartë se VV nuk ka kapacitete qeverisëse dhe ka nevojë ekstreme për të pasur ekspertizë nga partitë tjera politike që janë më të përgatitura për të nxjerrë vendime të mëdha dhe të dobishme për qytetarët”, ka nënvizuar ai.

Nga ana tjetër, duke folur për mënyrën se si të shkohet deri tek zgjedhjet, Burjani ka thënë se kjo varet shumë nga disponimi i VV, për shkak se opozita nuk mund të bëjë këtë punë vetë.

“Mendoj se shpërndarja me konsensus e parlamentit është më e lehtë”, përfundoi ai.