Ballina Kronika Aksidentet rriten ndjeshëm në Shqipëri, 57% më shumë se një vit më...

Aksidentet rriten ndjeshëm në Shqipëri, 57% më shumë se një vit më parë

70
0

Shqipëria po has një rritje të ndjeshme të aksidenteve në vend me hyrjen e vitit 2024, ku janë regjistruar në dy muajt e parë të vitit 57% më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Kështu është bërë me dije nga Instituti i Statistikave, ku sipas publikimit të shifrave zyrtare, reflektohet se vetëm gjatë shkurtit ka pasur 108 aksidente, ose një rritje prej 22.7% krahasuar me shkurtin e vitit 2023.

Ndërkohë që të dy muajt janar dhe shkurt sëbashku kanë regjistruar një shifër prej 270 aksidentesh me një rritje prej 57  për qind në raport me të njëjtën periudhë të 2023-it.

“Në muajin Shkurt 2024 numërohen 108 aksidente rrugore. Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 149 persona në muajin Shkurt 2024” vlerëson INSTAT në raportin e publikuar.

Ajo që mund të cilësohet si një grupmoshë “problematike” për aksidentet në tërësi, është intervali 45-59 vjeç, të cilët kanë qenë edhe më të përfshirët në aksidente.

Sa i takon shkaqeve, është vlerësuar se në 78.7% të rasteve, ato kanë ndodhur për shkak të sjelljes së drejtuesve të mjetit.

Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 45-59 vjeç, duke zënë 22,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Në muajin Shkurt 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Premte me 18,5 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur në ditën e Martë me 8,3 %.

Nga përpunimi i të dhënave Instituti i Statistikave ka dalë në përfundimin se në muajin e dytë të vitit, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 duke zënë 25,0 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.