Ballina Dossier “Gjon Shillaku, Mikel Koliqi, Musune Kokalari, Thoma Papapano…” – Persekutimet fetare dhe...

“Gjon Shillaku, Mikel Koliqi, Musune Kokalari, Thoma Papapano…” – Persekutimet fetare dhe politike në Shqipëri

65
0

Një fushatë sistematike kundër Kishës Katolike filloi në Shqipëri në janar të këtij viti. Sinjali u dha nga një sërë artikujsh të botuar në gazetën zyrtare “Bashkimi” që del në Tiranë. Këta artikuj të futur në botimet e 3, 8, 15, 17 dhe 18 janarit janë firmosur nën emrat e katolikëve si Tuk Jakova, Gjovalin Luka, Tonin Miloti dhe gjithashtu nën emra komunistësh.

Sot nuk bëhet më fjalë për arrestimin e disa priftërinjve, por për shtypjen (zhdukjen) e klerit katolik. Gjatë muajit shkurt u burgosën Dom Mark Hasi, Gjon Shllaku, Pal Doda, Dom Mikel Koliqi, të gjithë priftërinj shqiptarë. Përveç kësaj, 32 fetarë italianë dhe 3 motra të bamirësisë që ndodheshin në shtëpi të ndryshme të përkushtuara për punë bamirësie, të cilat ishin themeluar në Shqipëri në vitin 1939, u dëbuan brutalisht : u lejuan të merrnin vetëm gjërat e nevojshme. At Anton Harapi, i cili respektohej sa për virtytin dhe talentin e tij letrar, u ekzekutua në Tiranë më 15 shkurt, në të njëjtën kohë me ish-kryetarin e Këshillit Maliq Bushati dhe ish-anëtarin e Këshillit të Regjencës Lef Nosi.

Numri i rusëve që mbërrijnë në Shqipëri po rritet çdo ditë e më shumë. Ata janë të instaluar në të gjitha administratat. Ata janë të plotfuqishëm dhe vetë ministrat e qeverisë së Enver Hoxhës janë të detyruar t’u binden.

I ashtuquajturi komplot katolik i Shkodrës dhe zbulimi i simuluar i një tjetër komploti që dyshohet se ka ndodhur në Tiranë, kanë qenë shkak për arrestime të shumta në Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë… Ndër arrestimet, le të citojmë emrat e Suat Asllanit, avokat; Zonjusha Musine Kokalari, shkrimtare; Spiro Disha, Qenan Dibra, të dy nëpunës; Thoma Papapano, profesor dhe anëtar aktual i Asamblesë Kushtetuese. Arrestimi i këtij të fundit është kryer në këto rrethana : i ulur në një tavolinë me një shok në tarracën e një kafeneje, Thoma Papapano dyshohet se i ka thënë të besuarit se shteti aktual nuk mund të zgjasë shumë në Shqipëri. Disa orë më vonë, ai u zhduk nga qarkullimi.