Ballina Kulturë Shenja e birit

Shenja e birit

111
0

Nga Denis Hata 

Nënë Dija vështronte hijen e të birit që po hepohej rreth oxhakut të ndezur me dru pishe, që kundërmonin erë të mirë dhe qe fiksuar tek një shenjë e tij në dorën e majtë. Ishte një shenjë djegie, që kishte formën e një ylli…

Ajo vështronte djalin që kotej dhe ajo shenjë i fliste me një zë të brendshëm, emocional, nga shtigjet e së kaluarës…

-Ç’ke që më shikon nënë?!-foli i biri, Artani, që u zgjua sakaq nga ajo dremitje e ëmbël. -Kaq shumë të paska marrë malli për mua?!

-Më ka marrë vërtet malli, bir, -foli gruaja në moshë, duke e vështruar butë.-Ke tre javë larg syve të nënës, me shërbim, në dhera të huaj…

Tha kështu me gojë e zemër, se vërtet e kishte vuajtur mungesën e tij, por me mendje tani po bridhte në të tjera kohë…Sytë i pati fiksuar tek ajo shenjë në dorën e majtë të Artanit, i cili vazhdonte të ngrohej ëmbëlsisht tek oxhaku, pa e kuptuar zgjimin e kujtesës të së ëmës, që gjithësesi ishte krejt e panjohur për të.

Dhe ajo grua e vjetër, e brengosur dhe e tallazitur, nisi të sjellë nëpër mendje pjesë të historisë së jetës së saj…

Dija ishte një vajzë e bukur dhe e hedhur, që i bënte shpejt djemtë për vete, por deri atëhere për asnjërin nuk ia kishte bërë zemra tak. Por, më në fund, e panjohura ndodhi dhe ajo u përfshi e gjitha në aventurën e asaj njohjeje.

E pati njohur njeriun e zemrës në punë, kur ishte vetëm njezët vjeçe dhe qenë martuar me dashuri me shikimin e parë, nga ato dashuri që shkrepin si rrufeja në qiell të hapur e i venë zjarrin gjithë dheut. E donin njëri tjetrin, ishin në çdo ditë e në çdo çast suprizues ndaj njëri tjetrit dhe kjo do të zgjaste disa vite.

Dija punonte mësuese, ndërsa bashkëshorti, Zefi ishte shef finance në një ndërmarrje. Ajo kishte një shoqe të ngushtë, mësuese frëngjishteje, beqare, në moshën e saj, të cilës i tregonte gjithçka për lumturinë e tyre bashkëshortore.

Shoqja vinte shpesh në shtëpinë e tyre dhe, me raste, që pasonin njëri-tjetrin, pinin kafe e drekonin të tre së bashku.

Kaluan pesë vjet dhe bashkëshorti dukej i shqetësuar se nuk po arrinin të kishin fëmijë. Në fakt, më shumë se i shoqi, ishte e shqetësuar Dija, e cila e mbante këtë brengë thellë brenda vetes dhe nuk e shfaqte. Vizitat e herë pas hershme nuk po jepnin rezultat dhe njëri nga mjekët gjinekolgë më të mirë të vendit iu tha copë se fajin që ata nuk bënin fëmijë e kishte ajo, Dija…

Lidhja me mësuesen e frëngjishtes po bëhej gjithnjë e më e fortë, aq sa ata nuk ndiheshin mirë pa praninë e saj dhe ajo e kërkonte shoqërinë e tyre me ngulm, sikur donte të davariste mjegullën e vetmisë që e rrethonte.

Një ditë Dija i tha të shoqit se ai duhej të martohej, të kishte një nuse të dytë, pasi me të nuk mund të bënte dot fëmijë. Tjetri turfulloi, u betua e u stërbetua se një gjë e tillë nuk mund të ndodhte kurrë, por pas disa ditësh, i dërrmuar nga logjika e të shoqes shterpë, ngriti flamujt e bardhë dhe u dorëzua.

-Ta kam gjetur dhe nusen,-iu drejtua Dija me entuziazëm të shoqit. E njihni njëri tjetrin prej kohësh dhe shkoni shumë me sho-shoqin.

-E kush na qenka kjo fatlume, që unë s’e ditkam?!-klithi e ironizoi njëherësh bashkëshorti…

-Është Alma, mësuesja e frëngjishtes…

Tjetri shtangu, por ndjeu një valëzim dëshire t’i ngrihej si dallgë nga lëkura…

E kështu, duke qeshur më shumë nga stresi se sa nga humori i atyre rrethanave, hap pas hapi shkuan drejt Almës, e cila nuk dinte asgjë rreth këtij plani të çuditshëm, që e fuste jetën e saj në rrjedha të reja.

Pa kaluar tre muaj nga ky propozim i Dijes, Alma u bë gruaja e dytë e Hamitit. Brenda vitit ajo lindi një djalë të bukur e të shëndetshëm, që i dha një kuptim tjetër shtëpisë së tyre, asaj familje të vogël, ku një burrë jetonte me dy bashkëshorte, të dyja mësuese dhe njëherësh shoqe me njëra tjetrën.

Megjithë moskuptimet e herëpashershme, që janë të zakonshme në raste të tilla, në përgjithësi në familjen e re ekzistonte mirëbesimi dhe harmonia dhe këtë e bënte akoma më të thekshme e më kuptimpoltë prania e bebit të vogël.

Dija e donte vogëlushin që rritej e bëhej çdo ditë e më i bukur me gjithë fuqinë e shpirtit dhe të zemrës. Ajo kishte qenë vetë iniciatorja e këtij bashkimi dhe gëzonte që, më në fund, në shtëpinë e tyre dëgjohej e qara e një fëmije…

Por ditët kalonin e bashkë me to stinët këmbenin njëra tjetrën…e ndodhte që ndonjëherë Dija grindej me veten dhe xhelozonte nga brenda ngaqë shoqja e saj e ngushtë tani kishte një vend të posaçëm në zemrën e bashkëshortit,  për shkak të fëmijës që pati sjellë në jetë.

Një herë, kur bashkëshorti dhe shoqja e saj, Alma, tanimë nusja e dytë e tij, kishin dalë të psonisur në treg, ajo ndodhej vetëm me shtëpi me bebin e vogël, që sapo kishte nisur të ecte dhe trazavitej rreth zjarrit në oxhak.

Në shpirtin e Dijes, befas u ngrit një furi ndjenjash xhelozie, përzier me dhimbje e hidhërim, që ajo nuk pati qenë e aftë ta bënte të lumtur të shoqin me një fëmijë dhe tani mbante me përkëdheli fëmijën e një tjetre. Për më tepër, ajo e kishte çuar me duart e veta shoqen e saj drejt bashkëshortit, duke i propozuar atë që tani po e vuante dhe e bënte të ndjente nga thellësitë një pezëm gërryes, si një acid i fortë.

Në një çast, shpërthimi i saj u drejtua drejt vogëlushit që po luante rreth zjarrit, duke u turrur drejt tij e inatosur nga pafajësia e bebit, por teksa po e merrte me forcë për ta larguar nga flakët, i rrëshqiti dora dhe për inerci, në vend që ta tërhiqte, e shtyu lehtë të voglin drejt flakëve.

Qarjet e thekshme të fëmijës u shoqëruan me një blanë në ngjyrë të kuqërremtë, që u formua në dorën e tij, e cila me kohë iu kthye në një shenjë, që asaj i dhimbte deri në palcë të shpurtit…

Iu kujtua ajo ditë e mënxyrshme kur mësuesja e frëmgjistes, nusja e dytë e të shoqit dhe ky i fundit, teksa udhëtionin me makinë patën pësuar aksident dhe të dy patën humbur jetën.

Ajo pati mbetur me fëmiljën e vogël, të cilin e rriti me shumë dashuri dhe ai nuk e mësoi kurrë që ajo nuk ishte nëna e tij natyrale.

Tani vështronte të birin që ngrohej rreth oxhakut të ndezur ëmbël dhe sytë përkëdhelnin atë shenjën e tij në dorë, që e kompleksonte atë grua tanimë të moshuar dhe e rikthente në kohën e makthit të saj.

-Më rëntë pika mua për ty, biri im, i ëmvëli im!-i foli ajo me afsh zemre dhe ia mbështolli të birit duart rreth qafës. Tjetri e përklëdheli butësisht, duke iu përgjigjur dashurisë së asaj, që ishte për të njeriu më i shtrenjtë.

-Më ler ta puth pak dorën zemër,-i tha ajo djalit të saj,-më ka marrë malli shumë…

-Dorën do të ta puth unë ty, nënë! Ti je nëna më e mirë në botë…

-Të lutem, biri im, mos ma prish. Ja, do të të puth këtë shenjën këtu…-foli Dija me sytë e përlotur…

Djali, duke e vështruar trazueshëm e me një dashuri të thellë, që i lexohej në sytë e njomur, foli:

-Pse aty nënë? Ajo më ther sa herë bën mot i ftohtë dhe vetëm kur e afroj rreth zjarrit dora qetësohet…

-Më rëntë pika mua, i miri im!-klithi nëna. -Më rëntë pika, që s’më bie!-ofshani ajo dhe lotët i kullonin pikë pikë nga qerpikët e ronitur nga mosha.

I biri kishte mbetur pezull dhe nuk po e kuptonte këtë shfrim emocional të së ëmës.

“Mosha bën të veten, mendoj për të, vetëm mua më ka dhe vërtitet në hapësira malli, edhe kur largohem disa ditë”…

“Ti s’e di, biri im, brengën që më mban mbërthyer në të lauarën. Ndoshta do ta tregojë nodnjë ditë kur të keshë fëmiljët tuaj, por jo tani. Nuk dua të të lëndoj përsëri”, mendoi e ema, duke u përkëdhelur në krahët e të birit.

Ai i zgjati dorën, ajo ia puthi dhe ia lau me lotë atë shenjë në gishtat e të birit, që nënën e mbante pezull dhe në një kuti lëndimi, zemrën e saj të përvëluar nga dhimbja dhe pendimi…