Do të duhej të ishte një mbledhje procedurale, por Komisioni Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi për më shumë se dy orë prodhoi akuza dhe kundër-akuza mes deputetëve të opozitës dhe shumicës parlamentare, pa arritur të bëhet asnjë diskutim mbi çështjet për të cilat është ngritur: sterilizimin e check-upet.
‘Molla e parë e sherrit’ ishte një deklaratë për konfliktin e interesit, që deputetët e Rithemelimit insistuan të firmoset nga kolegët e mazhorancës. Refuzimi i Partisë Socialiste për të firmosur, pa u futur më parë në rendin e ditës, shkaktoi akuza se deputetët e majtë janë në konflikt interesi për 2 koncesionet që do të hetohen në Komision.
“Jeni në konflikt interesi se keni qënë avokat i Gjatës, firmose ta vojmë në ILDKPKI, e ta vlerësojnë ata. Ekonomi ka qenë zv.ministre kur janë miratuar këtë koncesione. Zonja është thirrur në prokurori se thuhet se Ekonomi dhe Rrepaj kanë firmosur, ka qenë kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave”, tha Ina Zhupa.
“Do refuzojmë këtë pikë. Jemi kundër futjes së kësaj pike në këtë moment. S’kemi plan hetimi, se dimë ca do hetojmë. Ne jemi kundër kësaj pike. Ngrini gjithë dorën”, tha Plarent Ndreca.
Albana Vokshi: Nuk e voton ti mos u bëj qesharak.
Plarent Ndreca: Ne e votuam…
“Po të kishte komision për shalqinj domate, unë do deklaoja te shalqiri kam konflikt interesi”, tha Saimir Korreshi.
Teksa dukej se më në fund, ngërçi u zgjidh, pasi pas 2 orësh debat u miratuan 4 ekspertët që do të ndihmojnë punën e Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, debatet rilindën, ndërsa Partia Socialiste refuzoi të votonte kërkesat për informacion drejtuar institucioneve.
“Jo nuk jemi dakort, kërkesat bëhen nga komisioni përmes ekspertëve ligjorë të zgjedhor, mbasi fillon hetimi mund të kërkohet prova dhe në këtë moment dërgohen, jepjani ekspetëve ligjorë”, tha Ndreca. “E dinim këtë skenar, jeni krejt të lexueshëm”, iu përgjigj Vokshi.
Vetëm me votat e opozitës, Vokshi nuk ia doli të miratonte listën e gjatë me kërkesat për informacion
drejtuar 12 institucioneve. Në këtë kushte mbylli mbledhjen. Mbledhja e radhës do të mbahet të mërkurën në mesditë, ndërsa tashmë është konsumuar 1/8 e kohës që komisioni ka në dispozicion për të hetuar koncesionin e sterilizimit dhe check-up.
Opozita hoqi dorë nga hetimi i dy koncesioneve të tjera në këtë komision, atë të hemodializës dhe laboratorëve mjekësorë.
Ekspertët
Franci Nuri- Rithemelimi
Meri Lika- Rithemelimi
Bledar Skënderi- PS
Ermir Bejtja- PS