Ballina Editorial Shqipëria në udhëkryq prej 30 vitesh

Shqipëria në udhëkryq prej 30 vitesh

61
0

Shqipëria gjatë këtij tranzicioni 30-vjeçar mbeti në udhëkryq. Shqipëria është një shtet i kalbur i një demokracie të dështuar ku vegjeton e sundon krimi i korrupsionit, tradhtia, hajdutërisë, droga, krimi ordiner, pasiguria dhe padrejtësia; vend me një demokraci fasadë. Po ta shikosh nga jashtë dhe në dukje në atë se çfarë reklamohet nga politika, shteti,qeveria e mediat, Shqipëria duket e paraqitet si shtet demokratik,liberal, modern dhe proeuroatlantik, por po ta shikosh nga brenda dhe po të dëgjosh atë se çfarë prekin, përjetojnë dhe çfarë thonë qytetarët shqiptarë, pra po ta shohësh atë se çfarë percepton publiku por dhe nga ato raportet e institucioneve demokratike ndërkombëtare mbi atë se si funksionon shteti shqiptar, pra atë se çfarë realisht flet realiteti, Shqipëria gatë këtyre 30 viteve paskomunizëm, ajo mbeti e fundit në rrugën e demokracisë, të ndërtimit të shtetit demokratik e ligjo, e fundit në zhvillimin e mirëqenien dhe e fundit në rrugën e integrimit. Edhe në diktaturën komuniste, Shqipëria reklamohej si vendi i mrekullisë socialiste, i mirëqenies e i lumturisë së rrejshme, si shkëmb graniti e fanar ndriçues në botë por që ishte një vend skëterrë përvuajtjeje, shtypjeje, mjerimi dhe jolirie. Dhe vetëm në vitet e agonisë e të vetërënies së komunizmit Shqipëria u njoh në botë, dhe vetëm pasi kur u ekspozua dhe kur falimentoi krejtësisht shteti socialist, si dhe prej eksodit dhe braktisjes masive të Shqipërisë prej shqiptarëve. Dhe po kjo gjë vazhdoi edhe gjatë këtyre viteve të tranzicionit të këtij sistemi pseudodemokratik dhe anarkik dhe sidomos gjatë këtyre 12 viteve të keqqeverisjes së Partisë Socialiste kur Shqipërinë e kanë braktisur mbi 600 mijë shqiptarë, dhe kur edhe 50% e atyre që janë sot në Shqipëri kërkojnë që të largohen nga Shqipëria nga papunësia, nga pasiguria, krimi dhe korrupsioni. Qeveria krenohet se në Shqipëri hynë e dolën kaq e aq turistë të huaj, por nuk përmend se përse braktiset Shqipëria nga shqiptarët dhe pse shqiptarët janë të parët në Europë që kërkojnë azil në BE? Pa hyrë në detaje e në hollësira të tjera vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për t’ia çjerrë e grisur maskën mashtruese kësaj politike e pushteti të këtij tranzicioni. Nuk mund të maskohet fallcodemokracia në Shqipëri me ecejaket nëpër botë të kryeministrit shqiptar, as me fasada e as me organizime samitesh e takimesh ndërkombëtare në Tiranë, pasi demokracia dhe shteti ligjor ka të bëje me realizimin e standardeve demokratike moderne, ka të bëjë me mënyrën dhe me cilësinë e qeverisjes, ka të bëjë me cilësinë e jetesës, ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, kundër drogës, kundër vjedhjes dhe hajdutërisë institucionale, ku për këto qeveria e sotme është kampione Europe në korrupsion, hajni, mashtrime, trafikim e kultivim droge, pasiguri, padrejtësi e zhvatje të parasë publike në tendera, në investime; kampione në numrin e të punësuarve parazitarë në administrate dhe nëpër ndërmarrje shtetërore të militantëve dhe plot me patronazhistë. Sot shteti shqiptar është një ndër vendet më borxhli dhe ndër më problematikët në botë për korrupsion dhe ndër më problematikët me sistemin e drejtësisë. Nuk është aspak kombëtare dhe nuk janë të justifikueshme që vetëm për interesa pushteti, nuk janë të justifikueshme “ndërhyrjet” në jo pak raste të Tiranës edhe në punët e brendshme të Kosovës ,kur ato ndërhyrje apo “këshilla” e “propozime” të Tiranës bien ndesh dhe janë kundër interesave të Kosovës dhe në dëm të sovranitetit shtetëror dhe të tërësisë territoriale Republikës së Kosovës. Shqipëria vendi kampion për pensionet më të ulta në Europë, vendi të cilit i duhen edhe 70 vite për të kapur standardet e sotme të BE-së. Korrupsioni në Shqipëri është përdorur për të blerë votën e pushtetin, për të blerë e manipuluar opinionin dhe mediat, për të blerë shoqërinë civile, për të përçarë opozitën; korrupsioni përdoret për të blerë, korruptuar e paralizuar sindikatat. Korrupsioni përdoret për të mbajtur pushtetin. Ky është realiteti në Shqipëri sot dhe që prej 30 vitesh tranzicion.