Ballina Opinion Dy faktorët kryesorë që ndajnë jetën nga vdekja në një aksident rrugor

Dy faktorët kryesorë që ndajnë jetën nga vdekja në një aksident rrugor

77
0

Nga Eduard Zaloshnja

Në 90 ditët e para të këtij viti humbën jetën 31 shtetas në aksidente rrugore. Ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë, plot 46. Pra, brenda një viti kemi patur një ulje 33% të numrit të të vdekurve në aksidentet rrugore, ndërkohë që këto të fundit janë shtuar 44% gjatë së njëjtës periudhë. Kështu, sivjet patëm mesatarisht 8.2 vdekje për 100 aksidente, ndërsa vjet në të njëjtën kohë plot 17.5 vdekje për 100 aksidente.

Çfarë ka ndryshuar brenda një viti që aksidentet rrugore janë bërë ndjeshëm më pak vdekjeprurëse?

Faktorët që ndikojnë në ndodhjen e aksidente janë të shumëllojshëm – shtimi i automjeteve në qarkullim është faktori sasior më i dukshëm (sa më shumë automjete të qarkullojnë nëpër rrugë, aq më i madh është probabiliteti që të ndodhin aksidente). Por kur aksidenti ndodh (për një nga shkaqet e shumëllojshme), dy faktorë janë kryesorë për të ndarë jetën nga vdekja: shpejtësia e automjetit dhe rripi i sigurisë.

Sa më e madhe të jetë shpejtësia e automjetit në çastin e aksidentit aq më e madhe është forca e tij goditëse (në rast përplasje) ose forca e tij fluturuese (në rast të daljes nga rruga). Në fakt, probabiliteti i vdekjes dhe shpejtësia në çastin e aksidentit kanë një lidhje statistikore eksponenciale (jo proporcionale).

Kështu kur një kalimtar/biçiklist/motoçiklist përplaset nga një automjet me shpejtësi jo të madhe, ai mund të shkojë në spital, por jo në morg. Në rast të kundërt nuk ka shpresë për të! Kur një automjet me shpejtësi të madhe përplaset me një tjetër, gjasat janë që një apo disa shtetas të shkojnë në morg. Në rast të kundërt mund të ketë vetëm të plagosur dhe/ose dëmë materiale. Kur një automjet me shpejtësi të madhe del nga rruga, gjasat janë që asnjë të mos mbijetojë. Në rast të kundërt, mund të ketë vetëm dëme materiale dhe/ose plagosje.

Kur ndodh një aksident i rëndë, ata që e kanë lidhur rripin e sigurisë kanë probabilitet të vdekjes pothuaj 50% më të ulët se sa ata që nuk e kanë lidhur. Kuptohet që rripi i sigurisë nuk është një shkop magjik që të garanton 100% jetën në një aksident të rëndë, por të paktën të përgjysmon probabilitetin e vdekjes!

Në Shqipëri nuk ka të dhëna të hollësishme periodike mbi shpejtësinë e automjeteve apo mbi përdorimin e rripit të sigurisë në automjete, por Policia Rrugore raporton çdo javë se sa gjoba janë vënë për tejkalim shpejtësie, për mospërdorim të rripit të sigurisë etj. Dhe në vitin e fundit aktiviteti i saj në këtë drejtim është rritur ndjeshëm.

Duket se frika e gjobave ka ndikuar në uljen e rasteve të tejkalimit të shpejtësisë dhe të mospërdorimit të rripit të sigurisë. Përndryshe, nuk ka si shpjegohet statistikisht ulja brenda një viti e vdekshmërisë së aksidenteve rrugore nga 17.5 vdekje për 100 aksidente vjet, në 8.2 vdekje për 100 aksidente sivjet (cilësia e rrugëve dhe e automjeteve nuk mund të përmirësohet në mënyrë drastike brenda një vitit).

SHËNIM: Ngarja tragjike e Këlcyrës dje nuk ishte një aksident rrugor – ajo ishte mirfilli një ngjarje kriminale. Drejtuesi i mjetit, duke u përpjekur t’i shmangej arrestimit nga policia, e shndërroi Benzin e tij në një rraketë me shpejtësi 180 km/orë në Grykën e Këlcyrës. Duke i marrë kështu jetën 7 emigrantëve ilegalë që po transportonte, si edhe vetvetes.