“Ndihmë juridike” është shërbimi juridik falas dhe shërbimet e tjera të parashikuara në ligjin për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, për personat që përmbushin kriteret e këtij ligji. Në mbështetje të ligjit nr. 111/2017, ky shërbim jepet në formën e ndihmës juridike parësore dhe dytësore, përjashtimit nga pagimi i tarifave gjyqësore & shpenzimeve gjyqësore dhe përjashtimit nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit. Shërbimet e ndihmës ligjore janë thelbësore për të nxitur më shumë në sistemin e drejtësisë.
Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Durrës ka si synim aksesin në drejtësi e çdo qytetari në nevojë duke mbrojtur të drejtat njerëzore dhe duke dhënë format e ndryshme së ndihmës juridike.
Forma e parë e ndihmës ligjore apo ndryshe Ndihma Juridike Parësore, është ai lloj shërbimi ligjor i cili ofrohet për mosmarrëveshjet që mund të zgjidhen pa qenë e nevojshme t’i drejtohesh gjykatës. Ky shërbimi ligjor konsiston në:
• dhënien e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi,të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtë gjyqësor.
• dhënien e këshillimit.
• dhënien e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve.
• dhënien e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore.
• përfaqësimin përpara organeve administrative.
• dhënien e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore.
Forma e dytë e ndihmës ligjore apo ndryshe Ndihma Juridike Dytësore, është ai lloj shërbimi ligjor që ofrohet për problematikat zgjidhja e të cilave mund të realizohet vetëm nëpërmjet gjykatës apo prokurorisë. Kjo lloj ndihme ofrohet nga avokatët e licencuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Personi me anë të avokatit falas i drejtohet gjykatës apo prokurorisë për zgjidhjen e çështjeve apo problematikave të çdo fushe (civile, penale, administrative). Gjithashtu, personat që mund të përfitojnë nga kjo formë e ndihmës juridike mund të përfitojnë përjashtim nga:
2 / 2
• Pagimi i tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore (shpenzimet për dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit).
• Parapagimi i tarifës së ekzekutimit të vendimit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.
KUSH PËRFITON NGA KY SHËRBIM ?
Nga ky shërbim përfitojnë shtetasit në kushtet e pamundësisë ekonomike (me të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme) si dhe kategoritë vulnerabil ku bëjnë pjesë:
• Viktimë e dhunës në familje;
• Viktimë e abuzimit seksual;
• Viktimë e trafikimit të qënieve njerëzore;
• Viktimë e mitur;
• I mitur në konflikt me ligjin;
• Fëmijë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
• Fëmijë nën kujdestari,të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor;
• Person me aftësitë kufizuar dhe të verbërit.
• Person me problem të shëndetit mendor;
• Person, përfitues i skemave të mbrojtjes sociale;
• Person, të cilit i është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent.
Qendra e Shërbimit së Ndihmës Juridike Durrës ndodhët Lagja Nr. 2 Rruga “Aleksandër Goga”, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
www.ndihmajuridike.gov.al