Ballina Rajoni Dështon takimi në Bruksel, Kosova dhe Serbia sërish pa përparim në bisedimet...

Dështon takimi në Bruksel, Kosova dhe Serbia sërish pa përparim në bisedimet për dinarin serb

35
0

Një tjetër takim mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë duket se ka dështuar.  Ata i dhanë fund sërish pa ndonjë përparim takimit të së enjtes në Bruksel, në të cilin u diskutua lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se ky nuk është as takimi i parë dhe as i fundit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç për të diskutuar për çështjen e dinarit në Kosovë. Pas takimit të sotëm në Bruksel, Bislimi tha se ndërmjetësi Miroslav Lajçak nxori një propozim konstruktiv, kryenegociatori i Kosovës tha se nuk ka pasur takim për dinarin. “Ky takim as nuk ka qenë i fundit e as i pari për dinarin, mendoj që është koha e fundit që ta shmangni këtë gabim në informim. Takimi është për të trajtuar modelet me të cilat Serbia mund të vazhdojë dërgimin e mbështetjes financiare për serbët e Kosovës, brenda rregullores së BQK-së. Rregullorja e BQK-së nuk e përmend dinarin, rrjedhimisht as nuk ka diskutime për dinarin,” tha Bislimi. Kryenegociatori serb Petar Petkoviç tha se Beogradi është palë e përgjegjshme, që po kërkon marrëveshje ne kuadër të dialogut. “Ne ripërsëritëm propozimin tonë që është i drejtpeshuar që nënkupton një zgjidhje kompromisi. Në anën tjetër nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës dhe ne kemi një takim tjetër për këtë temë, do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha ai duke nënvizuar se ka kërkuar sërish formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të përmbyllte problemet aktuale.Diskutimet në Bruksel dhe reagimet në Serbi pasuan rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.