Ballina Aktualitet Grupet kriminale shqiptare në Amerikën e Jugut akses në nivele të larta...

Grupet kriminale shqiptare në Amerikën e Jugut akses në nivele të larta qeverisëse, konkurrojnë dhe vendasit! Po shtrihen dhe në Lindjen e Mesme e vendet skandinave

71
0

Përmes raportit për vitin 2023, Prokuroria e Posaçme ka identifikuar qartë shtrirjen e grupeve kriminale shqiptare nëpër tregjet e botës të trafikut të drogës. Ata janë të pozicionuara në Amerikën e Jugut, ndërsa harta e aktivitetit të tyre po zgjerohet në tregjet kriminale në Lindjen e Mesme ku sigurojnë  “kokainë”, “heroinë”,“marijuanë” dhe “risinë”,  për ti trafikuar më pas drejt Shqipërisë drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të tjera të BE-së.

Në raportin e SPAK thuhet se grupet kriminale shqiptare janë pozicionuar mjaft mirë në disa shtete të Amerikës së Jugut, duke arritur të konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase.  Jo vetëm kaq duket që kanë arritur të korruptojnë dhe të kenë akses në nivele të larta qeverisëse, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv.

E ndërsa Franca është shfrytëzuar si vend strehimi nga drejtues të organizatave kriminale të rëndësishme, të cilët i janë fshehur ndjekjes penale në Shqipëri, Në Spanja grupet kriminale po investonë paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal.

Gjermania po përdoret si destinacion i përzierjes së drogave të forta. Tendencë e rëndësishme është dhe shtrirja e aktivitetit të këtyre grupeve në vendet skandinave siç është Danimarka, Norvegjia dhe Suedia.
Vihet re se, Porti i Durrësit po përdoret edhe nga grupe kriminale të Maqedonisë së Veriut për trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës në Itali dhe më pas në shtete të tjera të BE-së.

Pjese nga raporti i SPAK

Amerika e Jugut

Siç edhe u citua më lart, grupet kriminale janë të pozicionuara në Amerikën e Jugut ku më pas, përmes lidhjeve me grupet kriminale shqiptare të aktivizuara në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, ato arrijnë të eksportojnë sasi të konsiderueshme të narkotikëve dhe të një cilësie të lartë për grupet shqiptare, por dhe ato të kombësive të tjera. Këto grupe kriminale kanë arritur të pozicionohen mjaft mirë në disa shtete të Amerikës së Jugut dhe me sukses po konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase. Vihet re se, grupet kriminale shqiptare, kanë arritur të korruptojnë dhe të kenë akses në nivele të larta qeverisëse, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv.

Bashkimi Evropian

Grupet kriminale shqiptare janë mjaft aktive në tregjet e trafikut të narkotikëve në BE, kryesisht në trafikun e kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit, por dhe në tregje të tjera kriminale si, në trafikimin e mallrave të kontrabanduar dhe kryerja e transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik (call center).

Itali

Grupet kriminale shqiptare janë aktive thuajse në të gjitha rajonet e Italisë, dhe nga hetimet e kryera në bashkëpunim me agjensitë partnere, gjatë vitit 2023 janë evidentuar aktivitete kriminale, të cilat kryheshin në Puglia, Toskana, Lombardi, Piemonte dhe Friuli-Venecia Giulia.

Beneluks

Edhe gjatë vitit 2023, janë evidentuar aktivitete të grupeve kriminale shqiptare në Belgjikë dhe Holandë. Ajo që vihet re është se, këto grupe kanë lidhje ose janë zgjatues të grupeve kriminale shqiptare, të cilët janë rezident në Amerikën e Jugut dhe i përdorin portet e zonës së Beneluksit për të trafikuar më pas kokainën në BE dhe Britaninë e Madhe. Vihet re gjithashtu se, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive edhe në rritjen e plantacioneve me kanabis, kryesisht në Belgjikë, në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antëerp. Në Holandë, grupet kriminale shqiptare janë më aktive në Roterdam, për shkak edhe të portit më të madh hyrës në Beneluks.

Francë

Sipas hetimeve të përfunduara në vitin 2023, u evidentua një grup kriminal shqiptar me një strukturë të organizuar dhe të sofistikuar, i cili operonte në territorin e Francës dhe Shqipërisë në trafikimin e mallrave të kontrabanduara dhe pastrimin e parave. Struktura e këtij grupi kriminal tregon se, edhe tregjet kriminale në Francë përbejnë interes për grupet kriminale shqiptare. Vihet re se, territori i shtetit francez është shfrytëzuar gjithashtu si një vend strehimi nga drejtues të organizatave kriminale të rëndësishme, të cilët i janë fshehur ndjekjes penale në Shqipëri.

Spanjë

Një vend tjetër i BE-së, ku grupet shqiptare kanë qënë aktive është edhe Spanja. Gjatë vitit 2023, janë evidentuar grupe shqiptare të përfshira kryesisht në trafikun e kanabisit dhe në fushën e kryerjes së transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik. Spanja ka shërbyer gjithashtu, si një nga pikat kyçe të lëvizjes së kokainës nga Amerika e Jugut për në tregjet kriminale të BE-së. Kryesisht grupet shqiptare garantojnë sjelljen e sasive të kokainës nga Ekuadori në portet e Spanjës, (p.sh. portin e Algeciras), duke e fshehur atë në ngarkesa produktesh të ndryshme (p.sh. frutash ekzotikë, banane, peshk etj.). Spanja është një ndër vendet, ku gjithashtu, grupet kriminale shqiptare, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, po investojnë në pastrimin e produkteve kriminale.

Gjermani

Grupet kriminale shqiptare janë aktivë në trafikun e narkotikëve dhe kryesisht atë të kokainës. Nënvizohet se, një ndër portat hyrëse të sasisë të kokainës është dhe aeroporti i Frankfurtit. Gjermania përveç importit të kokainës dhe heroinës, vijon të shërbejë edhe si destinacion I përzierjes së drogave të forta, të cilat trafikohen më pas në të gjithë BE-në. Vihet re gjithashtu se, ndër viktimat kryesore të aktivitetit kriminal të transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik janë edhe shtetas gjerman.

Vendet skandinave

Një tendencë e rëndësishëm e shtrirjes së aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në BE, janë dhe vendet skandinave. Grupet kriminale shqiptare në këto vende janë poli-kriminale, por më shumë të fokusuara në trafikun e narkotikëve (kokainë dhe marijuanë) duke u vendosur në një prej këtyre shteteve, siç është Danimarka dhe duke e shtrirë aktivitetin e tyre më pas edhe në tregjet kriminale të Norvegjisë dhe Suedisë. Kryesisht, struktura drejtuese e grupeve që operojnë në këto tregje është hierarkike dhe bazohet në lidhjet familjare dhe shoqërore të cilët kanë funksione vendimmarrëse në organizatë dhe mbikëqyrin anëtarët e tjerë me role dytësore.

Britani e Madhe

Grupet kriminale shqiptare kanë një aktivitet të konsiderueshëm, kryesisht në fushën trafikut të kokainës dhe kanabisit në Britaninë e Madhe. Mendohet se, disa nga këto grupe kriminale mund të konsiderohen ndër ato grupe që kanë influencë shumë të rëndësishme në tregun e kokainës në këtë vend. Në vitet e fundit, grupet kriminale shqiptare janë përfshirë edhe në rritjen e kanabisit në të ashtuquajturat “shtëpitë e barit”, ku bëjnë pjesë një numër i konsiderueshëm të rinjsh. Ajo që është vënë re, nga rastet që ka ndjekur Prokuroria e Posaçme, është rritja e përdorimit të dhunës së grupeve kriminale të përfshirë në rritjen e kanabisit, qoftë në rastin e grabitjeve, por dhe në atë të larjes së hesapeve.

Lindje e Mesme

Vihet re, një prirje e grupeve kriminale shqiptare në zgjerimin e hartës së tyre të tregjeve kriminale edhe në Lindjen e Mesme. Kështu, në të paktën një rast, hetimet treguan se grupi kriminal shqiptar kishte siguruar “kokainë”, “heroinë”,“marijuanë” dhe “risinë”, në Siri, Turqi dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, për ti trafikuar ato më pas drejt Shqipërisë dhe nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e vendeve të tjera të BE-së.

Rajoni

Grupet kriminale shqiptare po përdorin disa porte si pika kyçe hyrëse të kokainës, e cila vjen nga Amerika Latine për të hyrë në rajon dhe për t’u transportuar më pas në BE. Në hetimet e vitit 2023 është evidentuar se, kokaina vjen me kontenier e fshehur në ngarkesa të ndryshme si p.sh. “pleh organik”, e cila transportohet nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut, në Greqi, në drejtim të Portit të Tivarit, në Malin e Zi. Ngarkesat futen në Shqipëri nëpërmjet transportit në rrugë tokësore , për t’u marrë më pas nga personat e specializuar të transportit dhe magazinimit të kokainës, për të bërë ekstraktimin e saj, duke ruajtur pastërtinë maksimale. Vihet re se, Porti i Durrësit po përdoret edhe nga grupe kriminale të Maqedonisë së Veriut për trafikimin e sasive të konsiderueshme të kokainës në Itali dhe më pas në shtete të tjera të BE-së. Zhvillimi i linjave të reja të kokainës nëpërmjet Shqipërisë nga grupet kriminale të Maqedonisë së Veriut tregon se, për këtë trafik po përdoren linja që dikur njiheshin si rrugët e trafikut të heroinës.