Në një intervistë për “Tempull” me Anisa Ymeri, botuesi shqiptar i Kadaresë Bujar Hudhri ka folur për sfidat e para që ai ka pasur si botues i Kadaresë.
“Për mua ka qenë një ngjarje sepse unë kam qenë shumë i vëmendshëm ndaj veprës së Kadaresë, sikundër ndaj të gjithë letërsisë shqipe, unë nuk është se duke pasë Kadare i kam kthyer shpinën letërsisë shqipe, përkundrazi, madje mund ta kisha bërë këtë gjë pa u qortuar po nuk e kam bërë kurrë.
E kam parë Kadarenë të veçuar nga trungu tjetër i letërsisë shqipe po e quaja arritjen e Kadaresë si perfeksioni im. Kulmi që mund të arrija.
Kshu e kam parë më tepër, jo në pikëpamje të biznesit sesa të një misioni që unë vetes ja kisha vënë, se s’ma vuri kush këtë mission, por gjëra të tilla bëhen me përkushtim, me pasion, me sakrifica, të të gjitha llojeve, të kohës tënde, të financave të tua, të gjithçkaje tënde që ti do të doje ta kishe për vete por ti më nuk e ke këtë shans, është dikush tjetër që vendos, dhe ky është një shkrimtar i madh që ti nuk mundesh dot kurrë, për shumë arsye që të ndikojnë, të themi, në njëfarë mënyre isha i varur krejtësisht dhe do e quaja një lloj lumturie pse isha i varur. Isha botues shqiptar, pa përvojë, ne s’kemi shkolla botimi dhe ishte një fat që të kishe një shkrimtar të tillë që të mësoje marrëdhëniet e një botuesi dhe një shkrimtari.
Kadareja e kishte këtë përvojë me botuesit e tij francezë, me botuesit botërorë dhe këtë kulturë e përcolli. Unë them se këtë kulturë e kam përcjellë te autorët e tjerë shqiptarë.”- përfundoi Hudhri.