Ballina Kosovë Kosova krah Ukrainës, këtë javë i dërgon kamionë e autoblinda ushtarake

Kosova krah Ukrainës, këtë javë i dërgon kamionë e autoblinda ushtarake

109
0

Kosova, këtë javë do të dërgoj një pako mbështetëse për Ukrainën, ku përfshihen kamionë taktikë dhe autoblinda ushtarake.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë taktikë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake”.

Maqedonci, paralajmëroi se edhe pakoja e dytë do të dërgohet së shpejti.

“Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, do të dërgohet gjithashtu së shpejti në Ukrainë”, tha Maqedonci për agjencinë e lajmeve turke, Anadolu Agency.

Që nga fillimi i agresionit rus, Kosova ka qenë në krah të Ukrainës, duke strehuar disa gazetarë ukrainasë e duke iu bashkangjitur sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë.

Më 23 korrik të 2023-së, Qeveria e Kosovës kishte miratuar pakon e 11-të të sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte thënë se miratimi i kësaj pako është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të Kosovës për drejtësi dhe paqe.

“Sot MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim zbatimin e pakos së 11 të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës ruse dhe Bjellorusisë si dhe zbatimin e vendimit të BE. Më 23 qershor këshilli i BE-së miratoj masa të reja kufizuese ndaj Rusisë”, deklaroi ajo.

Ajo kishte sqaruar se sanksionet po vendosen për shkak të cenimit dhe integritetit të pavarësisë së Ukrainës.

Edhe më 10 maj Qeveria e Kosovës, kishte shtuar sanksionet ndaj Rusisë për të kundërshtuar agresionin e këtij shteti ndaj Ukrainës.

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.