Policia ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e djeshme në lagjen “Skënderbeg”, ku një burrë i identifikuar si Mondi Çekani qëlloi me armë zjarri gjatë një konflikti me një person te tjetër.
Fillimisht u dyshua se Çekani, 50 vjeç kishte qëlluar në ajër dhe ishte larguar, por nga hetimet rezulton se ai kishte qëlluar drejt personit me të cilin po konfliktohej, R.M., 24 vjeç, me qëllim për ta vrarë.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, të organizuara dhe të kryera menjëherë pas konfliktit ndërmjet shtetasve R. M. dhe M. Ç., që ndodhi rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, në lagjen “Skënderbeg”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin e përfshirë në konflikt M. Ç., 50 vjeç, banues në Shkodër.
Nga hetimet dyshohet se 50-vjeçari, për shkak të një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë, shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Shkodër’,-njofton policia.
Fatmirësisht nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë person, ndërsa 50-vjeçari u kap ditën e djeshme vetëm pak minuta pas ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.