Ballina Politika ‘Ishim Koreja e Veriut e Europës’, Rama kthehet pas në kohën e...

‘Ishim Koreja e Veriut e Europës’, Rama kthehet pas në kohën e diktaturës: Edhe Lenini nëse do futej në Shqipëri, duhej të hiqte mjekrën te berberi

54
0

Kryeministri Edi Rama në takimin e 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit që po mbahet në Tiranë, u kthye pas në kohën e diktaturës. Rama kujtoi izolimin në vendin tonë, ndërsa u ndal edhe tek turistët për të cilët tha se aso kohe për t’u futur në Shqipëri do të duhej më parë të kalonin nga berberi, pasi nuk lejoheshin flokët dhe mjekra e gjatë.

“Ne kemi njohur një periudhë të historisë në të cilën kemi qenë tërësisht të ndarë e të veçuar e të izoluar nga të gjithë ju. Nga ju që keni ardhur nga perëndimi, por edhe nga ju që keni ardhur nga lindja. Sigurisht për ju qe vini nga lindja mund ta kuptoni më mirë ndoshta gjithçka qe ne kemi kaluar, megjithatë jam i sigurt, ajo që kemi kaluar ne është përtej imagjinatës të izolimit që kemi përjetuar ne dhe të brutalitetit që kemi hasur në këtë vend, pra përpara ose më saktë deri përpara 3 dhjetëvjeçarësh, ne kemi patur vetëm 5 mijë turistë dhe nuk kanë qenë 5 mijë turistë të zakonshëm, por kanë qenë 5 mijë turistë marksistë-leninistë, historiku i të cilëve ishte parë me imtësi nga autoritetet e atëhershme të cilët vinin nga partitë e majta ekstreme të të gjithë botës dhe kishin mundësinë qe të hynin në Shqipëri, e cila në atë kohë ishte Koreja e Veriut të Europës.

Pra, me perëndimin, me lindjen, me imperializmin amerikan, mes social-imperializmin sovjetik ne ishim në luftë, pra ata kishin ardhur në një vend që ishte krenar, që siç na thonin ne atëherë, ishim i vetmi vend i vërtetë marksist-leninist në botë. Ata kalonin doganën në aeroportin e Rinasit, ku kaluat shumica prej jush besoj dhe menjëherë duhet të kalonin tek berberi në rast se kishin mjekër ose në rast se kishin meshkujt flokë të gjata sepse mjekra dhe flokët e gjata për meshkujt nuk lejoheshin.

Pra edhe Karl Marksi i bie apo Engels, Lenini nuk do të kishin patur mundësi të hynin në Shqipëri pa kaluar nga berberi në aeroport që t’u hiqte mjekrën apo flokët e gjata, sipas rastit. Pra mendoni sa i thellë ka qenë izolimi dhe sa e fortë ka qenë ajo ortodoksia marksiste-leniniste, të cilën ne na është dashur ta përjetojmë”, tha Rama.