Dokumentet arkivore mbi vrasjen e bujshme të drejtuesve të Kryegjyshatës Bektashiane në vitin 1947. Çfarë opinionesh kishte mbi këtë ngjarje, në Elbasan, Kukës, Tiranë, Skarapr, Berat etj?
Si dhe sa e kishte ndikuar popullsinë vrasja e Baba Faja Martaneshit dhe Baba Fejzos, të cilët sipas versionit zyrtar të kohës, ishin vrarë nga kryegjyshi Dede Baba Abazi? Ngjarja e bujshme e marsit 1947, ishte përhapur menjëherë në gjithë Shqipërinë. Një ditë pas ngjarjes, me 19 mars 1947, gazeta “Bashkimi”, kishte dhënë pikërisht këtë lajm me pak rradhë, mbi ngjarjen: “Dje pasdreke n’ora 3 në Kryegjushatë, u krye një krim i poshtër e i shëmtuar. Patrioti Baba Faja dhe Baba Fejzua, u vranë nga Dede Baba Abazi, i cili pas krimit të poshtër vrau edhe veten”.
Versioni zyrtar ishte se Dedei, kishte vrarë fillimisht Baba Fajën tek shkallët e Kryegjyshatës, me një plumb pistolete dhe në momentin kur kishte dalë Baba Fejzo, kishte vrarë edhe atë po me një plumb e, në fund kishte vrarë edhe veten.
Komentet e shumta sidomos në rrethet e besimtarëve bektashinj, kishin ngritur menjëherë dyshimet mbi këtë version, duke mos besuar në asnjë moment, se Kryegjyshi do të shkaktonte një të tillë gjakderdhje pikërisht në Kryegjyshatë, kundër çdo besimi dhe norme bektashiane.
Madje disa zëra thonin se drejtuesit e lartë bektashinj nuk ishin vrarë më një plumb pistolete, por me breshëri automatiku. Gjithsesi ende sot nuk është botuar asnjë dokument ekspertize, apo foto që do të dëshmonin më qartë mbi këtë ngjarje.
Mbi këtë ngjarje të bujshme të vitit 1947, ende e mbështjellë me mister, dje botuam një pjesë të dokumenteve që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit mbi këtë ngjarje. Në dokumentet e djeshme, dëshmohej fushat propagandistike që po zhvillonte regjimi në të gjithë qarqet e vendit, për të përhapur versionin zyrtar të kësaj ngjarjeje.
Madje në një nga dokumentet, jepeshin hapur udhëzime se si duhej bërë propaganda për këtë ngjarje, në mënyrë që kundërshtarët e regjimit të mos e përdornin vrasjen e Baba Fajës dhe Baba Fejzos, për të kritikuar regjimin komunist.
Në pjesën e dytë të dokumenteve mbi këtë fushatë propagandistike të organizuar e orientuar nga kupola më e lartë e regjimit, raportohen të dhëna mbi perceptimin e kësaj ngjarje, në rrethet e Elbasanit, Tiranës, Beratit, etj.
RAPORT – INFORMACIONI I KOMITETIT QARKOR TË ELBASANIT, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE, LIDHUR KOMENTET QË BËHESHIN NË ATË RRETH, PËR NGJARJEN E NDODHUR NË KRYEGJYSHATË
PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI QARKOR
Elbasan
Elbasan, më 2-4-1947
Nr. Extra
KOMITETIT QENDROR TË P.K.SH.
(Seksionit Organo-Instruktiv)
T i r a n ë
Gjegje telit Nr. 175/3 datë 31-3-47.
Kleri Bektashian i këtushëm në pjesën ma të madhe, i desaprovon reformat, sidomos atë të martesës. Vrasja e Baba Fajës dhe Baba Fejzos nga Dedei, ka prodhue pëshpëritje jo të mira.
Akti i Dedeit dënohet si kriminel, por nga ana tjetër qëndrimi i tij kundra këtyre reformave, quhet i drejtë; kështu del që reformat s’u pëlqejnë, por edhe qëndrimi i Dedejit, konsiderohet jo me vend.
Ka disa klerikë të cilët mbajnë qëndrim indiferent dhe agitojnë të shfaqen në forma të njanës ose tjetrës anë, për të shikue sa interesohet Qeveria dhe qëndrimin e shumicës së klerikëve.
Ndër bektashinjtë qi ndodhen në qytet edhe në disa katunde të Çermenikës, vrasja e Baba Fajës sidomos të cilin e njihnin, i ka prekë. Edhe nër t’a dominon në pjesën ma të madhe opinioni që kanë klerikët. Ata s’i quajnë me vend reformat. Ashti nji përqindje e vogël e cila i aprovon.
Vrasja dhe tentativa për të bamë këto reforma, nuk ka krijue rryma t’i bëjë qi dhe këtu të ndihen këto ndryshime pikëpamjesh, të bahet luftë mendimesh nër t’a.
Asht për t’u theksue se ka ndër disa opinione, se mos vrasja asht krye nga Qeveria. Por ky mendim vetëm se asht ndi dhe s’ka gjetë kredi ndër Bektashinjtë të gjithë.
Gjithashtu vrasja komentohet nga pjesa ma konservatore e të vjetrit, si nji akt qi bëhej nga fuqia ligjore, për të pastrue radhët e vet klerikëve, por dhe ky opinion s’gjen kredi.
Gjer tani na kemi informata se në pjesën ma të madhe Bektashinjtë nuk i aprovojnë reformat, konsiderojnë Dedein si mbrojtës të fesë dhe e dënojnë vetëm mënyrën me të cilën si reaksionar, tue krye krimin.
Ma vonë do t’ju dërgojmë edhe nji letër me informata që do të kemi.
P/Komitetin Qarkor
P/(Thoma Deliana)
RAPORT-INFORMACIONI I KOMITETIT QARKOR TË SHKODRËS, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE, LIDHUR KOMENTET QË BËHESHIN NË ATË RRETH, PËR NGJARJEN E NDODHUR NË KRYEGJYSHATË
PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI QARKOR
SHKODËR
Nr. Prot. 29/II-Res
Shkodër, 2-4-1947
KOMITETIT QENDROR TË P. K.SH.
T i r a n ë
Në lidhje me t’uejin Nr. 158 Res. Dt. 25-3/47.
Për sa i përket vrasjes së Baba Fajës dhe Fejzos, populli i ynë ka diskutuar ndër ditët e para dhe asht ba kurjoz të dijë ma tepër, se si ngjau vrasja e tyre, në sa ma vonë nuk asht interesuar të dijë ma gjatë, por asht lanë po thuaj krejtësisht në heshtje.
Në qarkun t’onë nuk kemi teqe bektashishë d.m.th., nuk ka nji organizim. Janë afro 2-30 persona që janë të këtij tarikati, por që janë të shkëputur dhe pa organizim. Kemi nji teqe nga tarikati Rifai dhe kjo asht në qendër, por që dhe këto janë krejt të shkëputur dhe pa organizim, pjesa ma e madhe e muipëve janë element llafazan dhe pa kredi në popull, njerëz qesharakë.
Reaksioni në këtë mas ka dashtë të shfrytëzojë rastin dhe ka lëshuar parulla por ma tepër duke atakuar Partinë. Kanë paraqitur baba Fajon e Fejzon si elemente të shtier nga Partia për të ba reforma të reja si atë të hekjes së mjekrës, të veshjes me petka civile, dhe të martesës. Këto parulla nuk kanë zanë vend në popull dhe as që janë interesue të dinë ma gjatë.
Asht ndigjue se Dedaj ka qenë vazhdimisht keq me këto dhe në kundërshtim për çështje Partish, dhe nga kjo janë nxanë në bisedë dhe aj i ka trathëtue dhe i ka vra tinëzisht.
Asht ndigjue në fillim se baba Fajon dhe Fejzon i ka vra Partia Komuniste, dhe këto nuk janë vra nga Dedaj.
Ndër N/Prefekturat si Koplik, Mirditë, reaksioni asht mundue t’aparaqesi krejtësisht të kundërtën, tue thanë se i ka hye pushka në mes vedit njerëz të qeverisë, janë vra tre gjeneralë në mes të njani tjetrit dhe qeveria tash i ka punët keq etj.
Ndër bisedat që kanë pasur shokët me njerëz të tarikatit të Bektashinjve, asht vërejt se çështjen e reformave nuk e kanë pasur me sy të keq, ka dalë se tani nuk asht koha që të ndrydhemi në fanatizëm për dukje dhe nga ana tjetër, të shpërdorojmë, p.sh., përsa i përket martesës, për çështjen e veshjes me rroba civile, këtë e kanë komentuar duke thanë se; edhe sikur të mos bahesh kjo, nuk ka gjë, mbasi si udhëheqës ato të dallohen kështu dhe për mjekrën.
Nga disa të tjerë asht fol se baba Fejzo dhe Faja, kanë dashtë t’ja imponojnë me zorë Dedejt, për reformat me autoritetin e Qeverisë. Masa në përgjithësi siç e theksuam, nuk e ka komentuar shumë, por ka aprovuar se baba Faja e Fejzo, janë ken patriot të ndershëm dhe se kanë luftue e drejtue çeta. Partizanë që në fillim dhe sidomos për Baba Fajën, gjatë luftës.
Demaskimi i Dedejt për veprën kriminale që ka krye, ashtu vue në dukje nga ana e anëtarëve të Partisë kudo, që nga populli janë kërkuar sqarime gjithashtu, ndër biseda ndër rrethe të ngushta, asht demaskuar vepra e poshtër e Dedejt dhe paraqitja e Baba Fajës dhe Fejzës, si patriot.
Komitetin Qarkor të Partisë
(Adil Çarçani)
RAPORT-INFORMACIONI I QARKUT TË KUKËSIT, PËR KOMITETIN QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE, LIDHUR ME KOMENTET MBI NGJARJEN NË KRYEGJYSHATË
Nr. 93/4/
3/IV/47.
Koçi Xoxe
Në qarkun tonë nuk ka bektashianë. Vrasja e Baba Fajës dhe e Baba Fejzos, nuk ashtë marrë vesh akoma në tërë Qarkun. Baba Faja, këtu njihet ma tepër si nji luftëtar udhëheqës i lëvizjes, se sa fetar. Nga rrethet që njihet, është folur me keqardhje për vrasjen e tyre. Nji sheh reaksionar nga Bicaj, ka biseduar me rrethin e vet, se ata u vranë pse kishin dalë nga dini. Nuk ashtë dëgjuar ndonjë koment tjetër, nga populli.
Veis Gjebero
RAPORT-INFORMACIONI I QARKUT TË KUKËSIT, PËR KOMITETIN QENDROR TË PARTISË KOMUNISTE, LIDHUR ME KOMENTET MBI NGJARJEN NË KRYEGJYSHATË
PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI QARKOR – BERAT
Vdekje – Fashizmit
Liri – Popullit
Nr. 6/151 i prot.
Berat, më 3/4/947
KOMITETIT QENDROR TË P. K.SH.
(Seksionit Organo-Instruktor)
T i r a n ë
Gjegje radiogramit t’uaj Nr. 175/3 datë 31/III/947.
Vrasja e Baba Fajës dhe Baba Fejzos, u muar veshë vonë në Qarkun t’onë, e sidomos në Skrapar, ku ka shumë Bektashinj. Më parë e muarëm vesh se vdiq, për Baba Fejzon dhe jo për vrasje.
Përpara se të bëhesh vrasja, qarkulloj një parullë e cila doli nga Dëshnica dhe u përhapë në të gjithë Skraparin, se Baba Fejzua u martua dhe flitshin keq për të, duke thënë se dhe këta na kanë gënjyer deri tashti dhe tash kërkojnë të martohen.
Ky nuk ishte një mejtim i përgjithshëm vetëm i disa reaksionarëve që nuk e kanë dashur Baba Fejzon dhe i disa pleqve fanatikë. Kurse disa të tjerë elementë të rinj dhe njerëz të lidhur me luftën, e kanë aprovuar dhe kanë thënë se edhe ata njerëz janë, duhet të martohen.
Më mirë të martohen, se sa të bëjnë ilegalisht. Në Skrapar ka dhe disa Baballar që janë reaksionar dhe që në këto kohët e fundit, kanë bërë Myhyp shumë persona dhe pa ju marrë taksin e zakonshëm, të Myhypllëkut.
Këta Baballarë, janë më shumë ata të cilët e luftojshin Baba Fejzon, sigurisht nëpër ato rrethet e tyre fanatike. Tash me vrasjen e Baba Fejzos, në këto rrethe të këtyre Baballarve që e kanë qendrën andej nga Tomorrica dhe Potomi, kanë folur kundra këtyre dyve dhe mundohen t’a paraqitin Deden, si Shenjt.
I vrau Baba Bektashi, thonë, se më nuk duroi mëkatet që ata dojshin të bëjshin. Nga ana e Qendrës së Çepanit e Therepelit, nuk është ndjerë ndonjë gjë, vetëm në raste të vogla.
Kurse populli i këtyre krahinave, i ka ardhur keq për Baba Fejzon, pse Baba Faja nuk njihet, dhe ka folur shumë kundra Dedes. Ne e njohim atë thonë, ishte këlysh i Baba Kamberit, gjakatar dhe ai, si Baba Kamberi.
Shokët e Partisë që punojnë n’ato vende ku ka Bektashinj, po punojnë për t’a demaskuar veprën gjakatare të Dedes dhe avantazhi që kemi në këtë, është se Baba Abazi, njihet mirë në këto anë, si mik i ngushtë i kriminelit të Luftës, Baba Kamberit dhe se Baba Fejzo, njihet pse ka luftuar n’ato zona.
Më zor është nga Tomorica dhe Potoni ku ka mjaftë fanatizëm, dhe ku qëndrojnë Baballarët e më sipërme. Këta Baballarë janë mjaftë të korruptuar dhe nga kjo anë po kapemi n’agjitacionin t’onë.
Komitetin Qarkor
(Reis Malile)
(Kujto.al)