Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. INSTAT bëri të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin mars 2024 është 2.3%.
Ky ëshë niveli më i ulët që nga korriku 2021, përpara se të niste një valë shtrenjtimesh, e ndikuar fillimisht nga zhbalancimet që solli pandemia e më pas nga pasojat në tregjet e mallrave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Në tetor 2022, inflacioni arriti deri në 8.3%, niveli më i lartë që nga 1998-a.
Më pas rritja e çmimeve nisi të ngadalësohej dhe viti 2022 u mbyll në nivelin e 4%.
Në muajt e parë të 2024-s, inflacioni zbriti poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Që prej fillimit të vitit 2022, Banka e Shqipërisë nisi një politikë shtrënguese monetare, në funksion të objektivit të saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Nga 0.25%, norma bazë ka arritur në 3.25%. Pas rënies së inflacionit nuk pritet që Baka e Shqipërisë të vijojë më me këtë politikë shtrënguese.
Edhe në Eurozonë inflacioni ka shënuar rënie të vazhdueshme, duke rezultuar në 2.4% në mars. Banka Qendrore Europiane ka sinjalizuar se mund të nisë uljen e normave të interesit nga qershori.
Ushqimet vijojnë rritjen
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,70 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,45 pikë përqindje.
Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,31 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,18 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,09 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore:
Krahasuar me muajin Mars 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,2%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,5%, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,4%, “Shërbimi arsimor” me 2,3%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0%, “Shëndeti” me 1,9% dhe “Komunikimi” me 0,2%.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 0,3%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4,7%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4,6%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,4%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4,0%, “mish” me 3,7%, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore:
Krahasuar me muajin Shkurt 2024, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,0%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 0,4%, “Transporti” me 0,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili./Monitor