Ballina Kosovë The Washington Post: Shitja e avionëve të sofistikuar francezë, mund ta inkurajojë...

The Washington Post: Shitja e avionëve të sofistikuar francezë, mund ta inkurajojë Vuҫiqin të ndërhyjë në Kosovë

180
0

Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale, njoftoi të martën presidenti serb, në atë që do të shënonte një ndryshim nga furnizuesi i saj tradicional ushtarak Rusia, shkruan The Washington Post.

Presidenti Aleksandar Vuçiç foli gjatë vizitës së tij dy-ditore në Paris dhe bisedimeve me presidentin francez Emmanuel Macron si dhe me zyrtarë francezë të mbrojtjes, duke përfshirë prodhuesin e Rafale Dassault Aviation.

Vuçiq tha se ai pati një bisedë shumë të mirë me Macron të hënën mbrëma, e cila zgjati më shumë se tre orë dhe se ata “arritën marrëveshje konkrete në lidhje me blerjen e avionëve luftarakë Rafale”.

Ai tha se kontratat do të nënshkruhen në dy muajt e ardhshëm në prani të Macron, duke shtuar se blerja e avionëve të sofistikuar do të zgjerojë në mënyrë drastike bashkëpunimin ushtarak dhe të tjera midis dy shteteve.

Detajet financiare të marrëveshjes së mundshme nuk janë bërë të ditura, por media pro-qeveritare serbe e vlerësoi atë në rreth 3 miliardë euro (3.2 miliardë dollarë) për të gjithë paketën.

Serbia ka konsideruar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet, pasi rivali fqinj ballkanik Kroacia bleu 12 avionë luftarakë të përdorur të të njëjtit lloj për rreth 1 miliard euro.

Blerja e mundshme e avionëve Rafale do t’i lejonte Serbisë të modernizonte forcën e saj ajrore, e cila përbëhet kryesisht nga avionë luftarakë MiG-29 të prodhimit sovjetik, si dhe avionë luftarakë jugosllavë të vjetër.

Rusia ka qenë një furnizues tradicional i avionëve ushtarakë, duke përfshirë helikopterë luftarakë, për Serbinë, e cila ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.

Armatosja e shpejtë nga ushtria serbe ka shqetësuar disa nga fqinjët e saj pas shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Serbia, një kandidate e Bashkimit Evropian, është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s.

Kritikët e armatosjes perëndimore të Serbisë thonë se shitja e avionëve të sofistikuar francezë mund ta inkurajojë Vuçiqin që ndoshta të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovën fqinje, një ish-krahinë serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Udhëheqësi populist serb ka bërë disa kërcënime të tilla të fshehta gjatë muajve të fundit.

Gjatë bisedimeve të tij me Macron në Paris, të dy diskutuan edhe për tensionet e ndezura në Kosovë si dhe bashkëpunimin në fushën e teknologjisë bërthamore dhe ndërtimin e mundshëm të një termocentrali bërthamor në Serbi.