Organizata Freedom House ka publikuar raportin për vitin 2024, “Vendet në Tranzicion: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë”. Në raport evidentohet se demokracia në Shqipëri u ndesh me një sërë sfidash, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të muajit maj, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet.
Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.
Në kapitullin për vendin tonë, raporti është ndalur edhe në luftën kundër korrupsionit, ku theksohet se SPAK ka përmirësuar rezultatet e hetimeve, por gjithsesi ky fenomen mbetet ende shqetësues.
“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023″, thuhet në raport.
Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz.”
Raporti po ashtu citon edhe aktpadinë e SPAK-ut ndaj ish Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion dhe lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar pasi ai u largua nga Shqipëria.
Sipas raportit, “pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.”
Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.
“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë”, thuhet në raport.
Sipas ‘Freedom House’ “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”
“Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë së tyre” për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre.
“Dështimet e brendshme partiake janë bartur në strukturat qeveritare – duke ngjallur armiqësi të shtuar ndaj kritikëve në sektorët e shoqërisë civile dhe mediave – dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të pafavorshëm në gjendjen e përgjithshme të demokracisë në Shqipëri”, thuhet në raport.
Freedom House po ashtu vë në dukje përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile. Sipas organizatës, korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri.
Raporti në veçanti vë në pah dhunën fizike ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila, si edhe rastin e gazetarit Elton Qyno, apo Ola Xama.