Ballina Ekonomia Hekurudha Durrës-Pogradec do të jetë elektrike

Hekurudha Durrës-Pogradec do të jetë elektrike

95
0

Linja hekurudhore e korridorit VIII, që fillon në Durrës dhe përfundon në Pogradec do të jetë elektrike. Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin me fond limit 450 mijë euro, për projektimin e elektrifikimit të kësaj linje, ndërkohë që afati i fundit i pranimit të ofertve është data 3 qershor 2024.

Procedura është hapur në faqen e prokurimeve publike të Bashkimit Evropian, teksa projekti financohet përmes një granti nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të publikuara, konsulenti do të duhet të kryejë matje në terren ndërmjet Durrësit dhe Pogradecit, duke bashkëpunuar me entin prokurues dhe autoritetet përkatëse kombëtare dhe vendore. Ndërkohë që, projekti do të duhet të jetë gati brenda 12 muajsh nga nënshkrimi i kontratës.

Për këtë linjë hekurudhore pak kohë më parë dhe Banka Evropiane e Investimeve njoftoi se po ofron mbështetje teknike për përgatitjen e projektit në segmentet Durrës – Rrogozhinë dhe Rrogozhinë – Pogradec. Po ashtu, pak kohë më parë për segmentin nga Durrësi, në Rrogozhinë Komisioni Europian akordoi një grant prej 62 milionë euro, teksa vlera totale e investimit përllogaritet në 120.5 mln euro.

Linja hekurudhore e projektit të rehabilitimit ndjek atë ekzistuese dhe pas përfundimit të punimeve parashikohet që trenat të kenë një shpejtësi 120 kilometra/orë. Korridorit VIII hekurudhor nis nga Durrësi në Pogradec, ku lidhet me Maqedoninë e Veriut, në fshatin Lin. Pak kohë më parë ky korridor u përfshi në rrjetin kryesor të transporit transeuropian, i njohur si TEN T, duke i dhënë prioritet financimit të tij.