Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se rezerva energjetike në Kaskadën e Drinit është rreth 1054 gWh. KESH e konsideron këtë një vlerë optimale të operimit për sezonin.
KESH tha për TV SCAN se situata hidrike gjatë 3-mujorit të parë të vitit paraqitet, me evente me reshje me intesitet të ulët dhe mesatar e cila ka bërë të mundur që prurjet të qëndrojnë rreth vlerave mesatare shumëvjeçare duke përmbushur kërkesën për prodhim energjie, pa qenë nevoja për import. Po ashtu, sipas Korporatës në çdo rast me evente reshjesh do të vlerësohet mundësia për të eksportuar energji.
Paralelisht, KESH po menaxhon portofolin financiar nëpërmjet procedurave të optimizimit, duke rritur të ardhurat pa efekt tek rezerva energjetike, e duke përmbushur njëkohësisht nevojën për konsum vendas. Sipas përllogaritjeve të TV SCAN, nga optimizimi Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ka siguruar rreth 431 mijë euro.
Kjo, përmes 3 procedurave të realizuara për periudhën kohore 23 mars deri në 12 prill. Sipas të dhënave të publikuara nga KESH janë rreth 35,300 mijë mWh energji që janë tregtuar në procedurat e optimizimit, ku për gjysmat e tyre Korporata ka qenë në rolin e blerësit, ndërsa për gjysmat e tjera në rolin e shitësit. Realizimi i procedurave të shit – blerjes së energjisë synon përfitimin nga diferenca e çmimit të shitjes me atë të blerjes.
Kjo pasi, e njëjta sasi energjie blihet dhe shitet në profile të ndryshme orare. Ndërkohë që, referuar legjislacionit në fuqi blerja bëhet me çmim më të ulët se shitja, duke siguruar të ardhura shtesë për Korporatën Elektorenergjetike Shqiptare.