Armando Sadiku ka gjetur përsëri rrugën e rrjetës në kampionatin indian të futbollit dhe po ndihmon ekipin e tij t’i afrohet trofeut të parë të rëndësishëm të sezonit, atë për vendin e parë në renditjen e kampionatit në fund të sezonit të rregullt.
Në ndeshjen e sotme të Mohun Bagan ndaj Bengaluru në transfertë, Sadiku ishte mes titullarëve dhe la shenjën e tij në këtë sfidë, teksa shënoi golin e rezultatit 4-0, me të cilën u mbyll ndeshja në fjalë. Ky ishte goli i 8 i Sadikut në këtë edicion në kampionatin indian, në 20 ndeshje të luajtura ndër të cilat ka dhënë edhe një asist.
Tanimë, Mohun Bagan i mbetet vetëm një ndeshje për të luajtur, ajo ndaj Mumbait të vendit të parë që është 2 pikë larg në renditje.
Në rast fitoreje, skuadra e Sadikut do të merrte trofeun e kryesuesit të sezonit të rregullt, për të shkuar më pas në fazën play-off ku diskutohet edhe trofeu i titullit kampion.