Qeveria e Gjermanisë do ta furnizojë Ukrainën me një tjetër sistem ajror për mbrojtje ajrore, Patriot, teksa ajo përballet me luftën e Rusisë, ka thënë të shtunën ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
Sipas një deklarate të lëshuar për media, sistemi do të dërgohet menjëherë në Ukrainë.
Deri më tani Gjermania i ka dërguar Ukrainës dy sisteme Patriot.
“Terrori rus kundër qyteteve ukrainase dhe infrastrukturë së qytetit është duke shkaktuar vuajtje të pamatshme”, ka thënë Pistorius, sipas deklaratës.
Gjenerali i lartë amerikan, Christopher Cavoli, ka paralajmëruar ditë më parë se Ukraina nuk do të mund ta përballojë e vetme luftën kundër Rusisë, teksa një paketë masive e ndihmës amerikane vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.
Ndihma është bllokuar prej disa republikanëve konservatorë, të cilët besojnë se çështjet e brendshme në SHBA duhet të kenë prioritet.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL