Ballina Rajoni “Kobra ishte në Kosovë”, Vuçiç: As një pëllëmbë nga toka jonë nuk...

“Kobra ishte në Kosovë”, Vuçiç: As një pëllëmbë nga toka jonë nuk duhet të bjerë në duart e armikut

91
0

Për Aleksandar Vuçiç, Serbia ka një synim, pajisjen e ushtrisë me armatimet e fundit. I pranishëm në ceremoninë e Ditës së Detashmentit të Policisë Ushtarake, Kobra, Vuçiç premtoi forcim të ushtrisë dhe paga më të larta për ushtarakët.

Njësia famëkeqe Kobra është njësia më efektive ushtarake e Serbisë, e cila shpesh herë ka kaluar edhe kufijtë e saj në drejtim të Kosovës.

“Kobra është e vetmja njësi ushtarake me përgjigje 100 për qind në vitin 2022, kur pritej një sulm ndaj popullit serb në Kosovë. Atje ishte ‘Kobra’ ata provuan vlefshmërinë e tyre”, tha Vuçiç.

Gjatë fjalës së tij, presidenti Serb, Aleksandar Vuçiç vuri në dukje se Serbia ndodhet midis një vorbulle gjeopolitike dhe fajësoi vendet perëndimore se kërkojnë të copëtojnë Serbinë.

“Flamuri nuk duhet të bjerë kurrë në duart e armikut, ashtu si as një pëllëmbë nga toka jonë. Sot nuk është e lehtë të jesh pjesëtar i ushtrisë, aq më pak pjesëtar i njësisë Kobra, që hesht por është vrasëse, ata flasin pak, por bëjnë shumë.

Vendi ynë ndodhet në mes të një vorbulle gjeopolitike, e shtypur më fort se kurrë nga ata që do të donin të copëtonin territorin, nga ata që do të gjenin fajtorin për të gjitha gabimet e tyre”, theksoi Vuçiç.

Serbia sipas Vuçiç është vendosur në një qoshe dhe në çdo moment mund të reagojë. Lideri serb përforcoi atë që prej kohësh përflitej, gatishmërinë e Serbisë për të krijuar trazira në vendet përreth.

Vuçiç përpiqet të justifikojë qëndrimin serb me atë të një vendi nën kërcënim dhe në rrezik copëtimi. Vuçiç tha gjithashtu se i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ka folur me tepër rezolutën për Srebrenicën.

Gjithashtu Vuçiç tha se Serbia ka marrë të gjitha masat dhe ka dërguar letra për të gjithë anëtarët e Këshillit të Evropës për të penguar pranimin e Prishtinës në atë organizatë.

“U shkrova gjithsej 14 letra të ndryshme liderëve evropianë, kryesisht letra të personalizuara. Iu drejtova secilës duke pasur parasysh rrethanat dhe marrëdhëniet specifike që kemi. Në një mënyrë atyre që e njohin Prishtinën dhe në një mënyrë tjetër atyre që nuk e njohin Prishtinën”, vijoi më tej presidenti serb.

Theksojmë se Kosova është kandidaturë potenciale për tu anëtarësuar në organizmin më të rëndësishëm të Europës të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, atë të Këshillit të Europës.