Ballina Kulturë Rrezja e përdhunuar – Poezi nga Feti Tunuzliu

Rrezja e përdhunuar – Poezi nga Feti Tunuzliu

65
0

(Elegjia i kushtohet nënës së dy femijeve nga fshati Pavlan i Pejes e cila përjetoi dhunë seksuale në korrik 1998 nga forcat serbe. Frymëzimi dhe rrethanat për këtë poezi kanë dalë nëpërmjet përmbajtjes së një shkrimi gazetaresk në Kosovë)

 

Një femre të re –

i hyri makthi deri në palcë pa u fsheh

– mos do i bëhet banditëve pre,

Shëndeti seksual e reproduktiv – i bien këmbanës së rrezikut.

Buzëqeshja rinore – shuhet prej panikut!

Të vetmës grua në këtë shtëpi fshati

që lumturohej se po i rriste fëmijtë e vet me shumë dashuri,

nga skena trishtuese – trupi n’vend iu ngri:

njëri prej t’katërve, i armatosur deri n’dhëmbë,

sapo zbriti n’oborr nga xhipi si futa i zi

u vërsul si qen i tërbuar – këtë femër n’dorë me shti.

Iu ngjit posi ushunjëz teksa n’heshtje ogurzezë

po vështronte n’ethe të dërmuara dhe neveritur,

lëvizjet e çakorduara të hijenave të llahtarisur,

mbi barin e gjelbër dhe lulet verorë.

Sapo rezistoi – njëri e zvarriti të lemerisur deri te makina,

i dyti – mbërtheu forcërisht dhe e futi n’kabinë nga shpina,

i treti – ia puthiti n’ball grykën e alltisë,

i katërti – zbrazi përpjetë pushkën duke krisë.

Shfaqja rrënqethëse që shpërndante tmerr e urrejtje

vijoi edhe brenda makinës:

me gjuhën e sulmuesëve – viktima po kanosej,

me gjeste e veprime – po ngacmohej,

me armë e bajoneta – po lëndohej,

me shpulla e grushta – po provohej.

O, po detyrohej edhe t’gëlltitë raki –

sikundër dhunëtarëve që u bënte vaki.

Këto pamje po shtriheshin përpara syve

të burrit, fëmijëve, kunatit e të tjerë …

me ngashërim e dhembshurie të thellë.

E në njerën dhomë të shtëpisë së fqinjit –

të mallkuarit ia hoqën rrobat viktimës së strukur,

e lanë trupin zbuluar fare – pa rroba hiq,

siç e kishte lindur nëna lakuriq !

Sakaq nisën vallen e sadizmit të shfrenuar

dhe histerisë së llastuar.

Epshet e ndezura të sulmuesëve përdhunues

herë me britma ngazëllyes,

herë me ekzaltime torturues,

kënaqen me dhembje, vuajtje, mundime, …

me të hidhura përjetime.

Ndërsa viktima po lëngonte nga dhuna – e s’gjente prehje

po humbte ngadal edhe kontrollin – nga një dehje.

Gjatë kësaj skëterre traumatike

kush mund të priste nga viktima befasi taktike

e cila e shpëtoi tutje nga historia dramatike !

E sot, i është lidh jeta nyjë viktimës –

të mbijetuarës së dhunës seksuale të luftës.

Kjo nënë që e pa kiametin me sytë e vet,

sot është pa dritën e njërit sy e me diabet, …

prej që e ka marrë për keq ky shëndet!