Ballina Bota SHBA hedh poshtë pretendimet e Iranit se ishin lajmëruar 72 orë para...

SHBA hedh poshtë pretendimet e Iranit se ishin lajmëruar 72 orë para për sulmin në Izrael: Ata nuk dhanë asnjë njoftim

51
0

SHBA ka reaguar sërish në lidhje me sulmet e regjistruara mbrëmë në Izrael nga dronët iranianë. Në reagim SHBA është përgjigjur pretendimeve të Iranit se ata kanë paralajmëruar Izraelin 72 orë para se të lëshonin dronët. Sipas reagimit të Shtëpisë se Bardhë Irani nuk ka dhënë asnjë njoftim dhe se kishin qëllim vetëm të shkaktonin viktima.

Shtetet e Bashkuara kishin kontakte me Iranin përmes ndërmjetësimit zviceran para dhe pas sulmit masiv të Teheranit, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden. Duke shmangur detajet e kontakteve, ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin një seri kontaktesh të drejtpërdrejta përmes kanalit zviceran.

I pyetur në lidhje me pretendimet e ministrit të jashtëm të Iranit se Teherani kishte paralajmëruar vendet në rajon 72 orë para sulmit, zyrtari tha se kjo nuk ishte e vërtetë.

“Ata nuk dhanë asnjë njoftim… Qëllimi i tyre i qartë ishte të shkatërronin dhe të shkaktonin viktima,” shtoi ai.

Më herët, Irani deklaroi se kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara për qëllimin e tij për të nisur një operacion “të kufizuar” kundër Izraelit si hakmarrje për sulmin ndaj konsullatës iraniane në Damask.

“Ne njoftuam në një mesazh për Shtëpinë e Bardhë se operacioni ynë do të ishte i kufizuar dhe i vogël dhe do të kishte për qëllim ndëshkimin e regjimit izraelit”, tha ministri i jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian gjatë një konference për diplomatët e huaj në Teheran.