Atletika ka tashmë një rekord të ri, në një prej disiplinave të saj më të vjetra. Bëhet fjalë për hedhjen e diskut, i cili i ka një rekordmen të ri. Lituanezi 21-vjeçar Mikolas Alekna, ëhstë mbajtësi i ri i rekordit që rezistonte që nga vitet ’80.
Ylli i RDGj-së, Jyrgen Shult, mbante rekordin botëror të hedhjes së diskut që nga 6 qershori i vitit 1986, kur ai vendosi distancën 74.08 metra. Askush nuk ia kishte dalë të kalonte hedhjen e tij për thuajse 4 dekada.
Por këtë të diel, në Oklahoma në SHBA, ishte 21-vjeçari Alekna ai i cili vendosi rekordin e ri. Ai hodhi diskun 74.35 metra. Fillimisht atij iu llogarit distanca 74.41, por më pas gjyqtarët e garës bënë përllogaritjen e re të këtij rekordi duke e shkurtuar me 6 centimetra largësinë.
“Jam ende i tronditur, është e vështirë të kuptoj atë që kam bërë”, tha djaloshi lituanez. Ndërsa Shult, e pranoi me qetësi se dikush kishte kaluar rekordin e tij. “Kisha 38 vite kohë që të përgatitesha për këtë moment”, tha ai.
Alekna është tashmë kandidati kryesor për të fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike, duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Virgiljus Alekna, i cili ka qenë kampion olimpik në vitet 2000 dhe 2004.