Ballina Rajoni Avokati serb ironizon me presidentët serbë, tregon ku ikën ata kur Kosova...

Avokati serb ironizon me presidentët serbë, tregon ku ikën ata kur Kosova shpalli pavarësinë dhe sot kur u votua për anëtarësim në KiE

35
0

Pak orë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka reaguar avokati dhe analisti politik serb, Çedomir Stojkoviq.

Stojanoviq, duke ironizuar me presidentët serbë ka treguar ku ishin ata kur Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe sot kur Asambleja Parlamentare votoi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kur Kosova e shpalli pavarësinë, Boris Tadiq [presidenti i atëhershëm serb] iku në Rumani. Kur Kosova u pranua në Këshillin e Evropës, Aleksandar Vuçiq iku në Bosnjë”, ka shkruar Stojkoviq në platformën “X”.

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Pro anëtarësimit të Kosovës votuan 131 deputetë, kundër 29 dhe 11 abstenuan.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë.

Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Serbia e kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Çështja tash kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët do të vendosin në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtarja e 47-të e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.