Kosova bën mirë të armatoset dhe të fuqizojë kapacitetet e veta, pasi situata në Ballkanin Perëndimor është e paqëndrueshme. Kështu mendon eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor nga Bosnje dhe Hercegovina, politologu dhe autori i dy librave, Jasmin Mujanoviç.
Në një prononcim për mikrofonin e A2 CNN, ai tha se situata e sigurisë në rajon varet shumë nga tendencat gjeopolitike globale, veçanërisht lufta në Ukrainë. Mujanoviç fajëson Serbinë për dështim të dialogut, ndërsa e sheh si pozitive ikjen e Lajçak nga detyra e të dërguarit të posaçëm të BE.
Zoti Mujanovic faleminderit për këtë mundësi. Si e shihni situatën aktuale, situatën e sigurisë në Ballkan, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit në lidhje me Iranin, Izraelin dhe Evropën?
Fatkeqësisht, situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor vazhdon të varet në mënyrë disproporcionale nga tendencat gjeopolitike globale. Situata në Ukrainë tani është shumë shqetësuese, mendoj nga perspektiva e stabilitetit të këtij rajoni. Unë besoj se në rast se Ukraina dështon në zmbrapsjen e ofensivës aktuale të Rusisë ne mund të kemi një shpërthim të ngjashëm të incidenteve të sigurisë, nëse jo konflikt, në Ballkanin Perëndimor. Sepse ne e dimë që për fat të keq, qeveria në Serbi, si dhe në Banjaluka dhe Bosnje Hercegovinë është shumë e varur nga Rusia. Dhe sa herë që mendojnë se Rusia është forcuar apo trimëruar, ata e konsiderojnë gjithashtu një mundësi për të testuar ujërat mbi qëllimet e tyre strategjike në Ballkanin Perëndimor. Pra, është një situatë e paqëndrueshme në përgjithësi. Një nga gjërat pozitive që ka ndodhur, të paktën sa i përket Kosovës, është fakti se qeveria ka investuar në aftësitë e saj mbrojtëse. Mendoj se kjo duhet të vazhdojë sepse garancia më e mirë në fund të ditës së stabilitetit në rajon është një sistem i fortë parandalues në vende si Kosova, por edhe Bosnja dhe Mali i Zi.
A mendoni se një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet së shpejti?
Jo, nuk mendoj se kjo mund të ndodhë. Mendoj, për fat të keq, se kemi një situatë ku derisa të ketë një ndryshim kategorik të perspektivës në Beograd, nuk mund të presim asnjë lloj përparimi kuptimplotë në këtë proces. Kjo për fat të keq do të thotë se ne mund të mos shohim përparim për disa vite.. Mendoj se Kosova duhet të investojë në kapacitetet dhe në marrëdhëniet e veta dhe të përpiqet të shkëputet nga i ashtuquajturi dialog, sepse dialogu nuk po ndodh. Dhe Kosova nuk mund të presë për dekada të tëra derisa të kete një lloj transformimi domethënës demokratik në Serbi. Kështu që unë mendoj se disa nga përpjekjet e fundit nga Qeveria e Kosovës sa i përket Këshillit të Evropës janë shumë pozitive dhe demonstrojnë se çfarë mund të bëhet nga Kosova edhe kur nuk ka dialog kuptimplotë me Serbinë.
Kë fajësoni për dështimin e procesit të dialogut?
Është shumë e vështirë të thuhet se ka një përgjegjës tjetër përveç Serbisë. Dua të them se Serbia ka treguar herë pas here se nuk është e gatshme të pranojë realitetin e sovranitetit të Kosovës dhe se nuk është e gatshme të ndërmarrë hapa që kërkohen. Për ta normalizuar atë
realitet të sovranitetit për shtetin serb dhe për publikun serb. Serbia vazhdon të angazhohet
në dialog duke e mohuar në të njëjtën kohë realitetet politike në terren. Kjo nuk është e mundur. Dhe në të njëjtën kohë, për fat të keq, ne kemi parë gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar po e toleron qëndrimin e qeverisë serbe. Ju e dini, faktin që, për shembull, për më shumë se 3 vite e gjysmë kemi pasur të dërguarin e posacem per dialogun si dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, nga vendet jo njohëse. Mendoj se kjo është vërtet, vërtetë problematike.
Si e shihni kandidaturën e Z. Borut Pahor si i dërguari i ardhshëm i BE për dialogun…?
Epo, sigurisht që zoti Pahor është një zgjedhje më e mirë se zoti Lajçak duke qenë se Sllovenia të paktën e njeh Kosovën. Duhet thënë se Sllovenia në përgjithësi ka pasur një politikë dhe qëndrim shumë të mirë ndaj Kosovës, por edhe ndaj Bosnjës që nga pavarësia e saj dhe në fund të fundit është një vend i Ballkanit Perëndimor, kështu që është diçka pozitive. Por fatkeqësisht, unë mendoj se zoti Pahor do të ndeshet me shumë nga të njëjtat problematike me te cilat u has edhe Lajçak, qe është se ai do të ketë një qeveri në Beograd që nuk është e gatshme të merret me thelbin e çështjeve. Kështu, ai nuk do të jetë ne gjendje të bëjë shumë për të nxitur qeverinë në Beograd të angazhohet në dialog më kuptimplote me Kosovën. Zoti Pahor nuk mund të thotë, për shembull, ne do të sanksionojmë Aleksandër Vuçiç ose Aleksandër Vulin ose ndonjë numër zyrtarësh të tjerë serbë, nëse nuk ka një angazhim kuptimplotë për dialogun, sepse në fund të ditës, Hungaria do të bllokojë çdo lloj sanksionesh të Bashkimit Evropian kundër qeverisë së Serbisë siç kanë bërë me zotin Dodik në Bosnje.